Një fëmijë 3-vjeçar është shtruar prej disa ditësh pranë Pediatrisë Infektive në QSUT, pasi është diagnostikuar me fruth. Sipas mjekëve, fëmija ka lindur jashtë vendit dhe nuk ka marrë asnjë nga dozat e vaksinës së detyrueshme për mbrojtje ndaj virusit të fruthit.
“Rasti i fundit i konfirmuar me fruth është një fëmijë i cili ka lindur jashtë vendit, ka ardhur në Shqipëri, por nuk i ka aplikuar vaksinat duke filluar nga mosha 6 muaj e më tej. Prindërit e mbajnë në shtëpi dhe, në një moment, fëmija duhet të ketë rënë në kontakt me këtë virus i pavaksinuar. Normalisht, po të kishte aplikuar dozën e parë të vaksinës, fëmija nuk do të ishte infektuar. Fëmija ka shfaqur shenja klinike dhe ndodhet i shtruar në QSUT”, tha Rovena Daja, mjeke epidemiologe, ISHP.
Vitet e fundit, mbulesa vaksinale ka rënë në 92% nga 95%. Për këtë arsye, nuk kanë munguar as rastet e të vegjëlve të infektuar me fruth. Gjatë vitit 2025 u konstatuan 18 raste me fruth, ndërsa një vit më parë ishin 24 raste të konfirmuara.
“Në kalendarin tonë të vaksinimit, fruthi aplikohet me dy doza: e para në moshën 1 vjeç dhe doza e dytë në moshën 5 vjeç. Për shkak të uljes së mbulesës vaksinale me dy doza, nga 95% ne e kemi vitet e fundit 92%. Gjatë vitit 2025, nga janari dhe deri aktualisht, kemi 18 raste me fruth të konfirmuara, të cilat kanë qenë kryesisht në Fier dhe në Tiranë, raste sporadike tek fëmijët, të cilët kanë qenë pjesa më e madhe e tyre të pavaksinuar ose një pjesë e vogël e tyre të vaksinuar vetëm me një dozë.”
Fruthi është një sëmundje ngjitëse e cila mund të sjellë pasoja të rënda për fëmijën, duke shkaktuar pneumoni, infeksion të trurit, verbim, madje mund të çojë edhe deri në vdekje. Mjekët vazhdimisht apelojnë për kryerjen e vaksinimit të fëmijëve sipas kalendarit përkatës.





