Rinovohet kontrata me Eco Elb, debate në Këshillin Bashkiak Elbasan

0

 

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar rinovimin e kontratës me shoqërinë “Eco Elb” për depozitimin e mbetjeve urbane në landfill, me 27 vota pro dhe 11 kundër. Edhe për këtë vit, tarifa do të mbetet 2600 lekë për ton pa TVSH, njësoj si një vit më parë.Vendimi ka shkaktuar debate, pasi qytetarët do të vijojnë të paguajnë për një shërbim që sipas opozitës nuk kryhet plotësisht. Këshilltarët e Partisë Demokratike kundërshtuan kontratën, duke ngritur shqetësimin se procesi i incenerimit nuk funksionon prej më shumë se dy vitesh.
Këshilltarja demokrate Bianka Çopja deklaroi se qytetarët nuk duhet të paguajnë për një proces të paplotë, duke theksuar se trajtimi i mbetjeve është pjesë e kontratës dhe duhet të kryhet i plotë.

Nga ana tjetër, administratori i “Eco Elb”, Leli Kaja, pranoi se incenerimi nuk realizohet prej rreth dy vitesh e gjysmë, por theksoi se një pjesë e trajtimit vijon të kryhet dhe se tarifa përfshin vetëm pranimin e mbetjeve, pa marzh fitimi. Ai shtoi se inceneratori është aktualisht në remont dhe po shqyrtohen mundësi për rikthimin e tij në funksion, ndërsa paralelisht po punohet për ndërtimin e një landfilli të ri.

Edhe këshilltarë të tjerë të opozitës ngritën shqetësime për mungesën e kapaciteteve, rrezikun e ndotjes gjatë sezonit veror dhe kostot shtesë që mund të rëndojnë mbi qytetarët nga transferimi i mbetjeve në zona të tjera, duke marrë edhe përgjigjen e Z.Kaja.

Pavarësisht debateve, shumica socialiste votoi pro rinovimit të kontratës, duke lënë në fuqi të njëjtën tarifë për një shërbim që vijon të mos realizohet plotësisht.