Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nën monitorimin e anëtarëve të KAS po rinumëron 92 kutitë e fundit për qarkun e Fierit.
Sipas të dhënave të reflektuara në faqen online të KQZ në 494 kuti të numëruara deri më tani Partisë Demokratike i janë shtuar 112 vota ndërsa PS i janë hequr 30 vota.
Ndërsa Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, inicuese e kërkesës për rinumërimin e qarkut Fier, i janë shtuar 8 vota.
Social Demokratëve të Tom Doshit i janë hequr 7 vota, ndërsa Partisë Mundësia i është hequr 1 votë.
Për votën preferenciale deri më tani nga demokratët ka rezultuar se është mbajtur me hatër Silva Hasaj duke i shtuar padrejtësisht 690 vota pasuar nga Gentian Çela me 209 vota më shumë se çfarë i takonin.
Rinumërimi i ka ardhur në ndihmë kandidatit socialist Klevis Jahaj të cilit komisionerët i kishin hequr 480 vota.
E famshmja kandidate socialiste e Fierit Zegjine Caushi e cila e fitoi mandatin për vetëm 61 vota deri më tani i janë hequr 59 vota.
Kërkesa për rinumërimin e Fierit ishte e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, i cili pretendon një mandat, për t’ia marrë Partisë Socialiste. E që kjo të ndodhë i duhen 517 vota të cilat deri më tani nga kutitë e rinumëruara duket një mision i vështirë.