Ish- Ministri i Mbrojtjes në qeverinë Berisha 1, Fatmir Mediu është njohur sot me akuzat e SPAK lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të SPAK, ai tha se nuk ka pasur asnjë kontakt të papërshtatshëm asokohe, kur mbante detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.
Mediu tha se: Nuk e di se kam parë dosjen. Më është dhënë i njëjti fashikull që ka qenë më parë. Ka qenë e motivuar politikisht. Ministria e Mbrojtjes është konsideruar si një strukturë kriminale. Ajo ministri ka qenë drejtimi i anëtarësimit në NATO gjë që është vlerësuar edhe nga SHBA. Trajtimi i tillë është i padrejtë. Secili duhet të ketë të drejtë të pyetet.
Ministri i Mbrojtjes nuk di ku janë vendet e forcave të armatosura. Edhe sikur të ndodhte në mes të malit, ata persona do të kishin të njëjtin problem. Në dijeni të vendit ka qenë gjithë autoritetet ushtarake. Gjithçka funksiononte si farmaci, thonin. 15 ditë përpara shpërthimit të Gërdecit, ka qenë një mbledhje me ekipin amerikan që na mbështeste, me shtabin e përgjithshëm dhe ministrinë, ku është cilësuar Gërdeci si një nga strukturat më të mira. Kush mund ta certifikojë një proces ushtarak. Secili të lexojë ligjet. Ministri është autoritet civil, jo ushtarak.
Është folur për rolin e Shkëlzen Berishës keni pasur kontakt me Shkëlzen Berishën?
Mediu: Unë nuk kam asnjë lloj dijenie për atë lloj shkrese që thoni ju. Aldo Bumçi ka dhënë shpjegimet e tij. Nuk kam diskutuar me asnjë. Nëse do më gjenin një marrëdhënie time specifike me këtë ngjarje, atëherë do marrë unë përgjegjësinë time. Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me këto firmat.
Keni besim tek SPAK?
Mediu: Një proces kërkonte që edhe ministri të pyetet. Unë u njoha me aktet dhe kam thënë që jam i gatshëm të pyetem.