Rrapi i Bezistanit në Elbasan rrezikon të bjerë. Çahet betoni, thahet një pjesë e trungut. Një koment edhe për bazilikën e mjerë (Foto)

0

 

Rrezikon të zhduket një nga Monumentet e Natyrës simbol për qytetin e Elbasanit.

Bëhet fjalë për Rrapin e Bezistanit mbetet si pikë orientuese kryesore në këtë qytet po aq sa Kulla e Sahatit.

Ka kohë që për këtë Monument Natyre nuk tregohet kujdesi i duhur, por sivjet ai ndodhet në ditët më të errëta të ekzistencës së tij.

Nga një vëzhgim i kryer rezulton se rrënjët kanë çarë betonin në anën veriore të drurit. Kjo ndoshta për shkak të peshës që ushtron trungu nga ana jugore e cila është gërmuar për shkak të bazilikës. Në këtë anë dherat bien vazhdimisht ndërkohë që duken rrënjë të thara, çfarë presupozon se Rrapi as nuk furnizohet më me ushqim nga kjo anë dhe as është në gjendje të mbajë peshën e drurit.

Por kusuret nuk mbarojnë me kaq për drurin simbol. Tabela që tregonte se ai ishte Monument Natyre është shkulur nuk dihet se për çfarë arsyeje. Ndërsa panorama përreth është e mjerë pasi “teveqelët” kanë thyer xhamin dhe kanë marrë edhe banerin që tregonte se çfarë fshihej poshtë bazilikës.

Emërtimi i Rrapit të Bezistanit lidhet me tregun e mbyllur, i quajtur ” Bezistan”, bërthamë e rëndësishme tregtare, ndërtuar në shekullin e XVII që përfshinte një numër të konsiderueshëm dyqanesh.

Përmasat tregojnë se Rrapi ka një moshë mbi 500 vjeçare.

Bashkia Elbasan është përpjekur shumë për të evidentuar historinë dhe kulturën e qytetit. Kjo pasi ky institucion e sheh zhvillimin e turizmit si një mundësi të artë për zhvillim.

Kujtojmë këtu se ishte bashkia ajo që akordoi dhjetëra milion lekë për të zbuluar Bazilikën e Bezistanit. Dhe vetëm kur ky projekt u bë realitet, Ministria e Kulturës dhe institutet e saj morën atributet duke rendur drejt Elbasanit e duke thënë se kjo është detyrë e tyre. Edhe tani bashkia u ka kërkuar publikisht instituteve që ta lejojnë që të investojë, por vazhdon të mbahet peng.

Lloj-lloj eksperimenti kanë bërë me bazilikën, qindra milion lekë u tha se janë akorduar për zbulimin dhe evidentimin e vlerave të saj. Çdo ministër kulture ka bërë premtime për këtë monument. Dhe që të gjithë kanë gënjyer e mashtruar. Në fakt kanë lënduar shumë një komunitet siç është Elbasani i cili ka një histori dhe kulturë të pasur. Pra thjesht janë tallur.

Edhe sot e kësaj dite, bazilika, Rrapi i Bezistanit dhe dhjetëra monumente të Kulturës e Natyrës mbahen peng nga Ministria përkatëse, ose nga institutet e saj. Arsyen e merrni vetë me mend. Ku ka ndonjë projekt ose lekë dalin njëmijë e një pengesa.

Por a duhet lejuar që bazilika të degradojë dhe Rrapi të thahet. Që mozaiku më i bukur paleokristian në Ballkan të përdhoset dhe ikonat murale të shfarosen. Tashmë, dhe për fat të keq, mjaft elementë të bazilikës janë shkatërruar dhe, nëse politikëbërësit janë të pa përgjegjshëm, këtë nuk duhet ta lejojmë ne…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu