Rrëmbyen dhe dhunuan 17-vjeçarin, arrestohen dy shqiptarë në Itali

0

Dy shqiptarë të moshës 34 dhe 22-vjeç janë arrestuar nga policia italiane pasi akuzohen për rrëmbim dhe plagosje të një të mituri 17-vjeçar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur vitin e kaluar.

Të arrestuarit mësohet se janë persona me precedentë penalë në fushën e drogës.

Prokuroria e Milanos kishte ndjekur linjën e hetimeve të rastit, pas denoncimit të bërë nga i mituri për fakte të plagosjes personale dhe rrëmbimit, të ndodhura më 1 prill të vitit të kaluar.

Falë dëshmive të mbledhura, kqyrjes së kamerave dhe aktivitetet e përgjimit të telefonit, ishte e mundur të konstatohej që i mituri ishte ndaluar papritmas në një rrugë dytësore nga dy autorët.

I mituri ishte dhunuar me shkop bejsbolli dhe kërcënuar me armë zjarri.

Synimi i tyre ishte që në fakt të bënin të miturin të “rrëfente” se i kishte dëmtuar makinën dhe kishte vjedhur pak kokainë që mbahej brenda automjetit.

Karabinierët në momentin e ekzekutimit të masës së kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, kanë gjetur afërsisht 250 gramë kokainë dhe 5000 euro para të gatshme.

Dy shqiptarët po mbahen të izoluar në paraburgimin e San Vittore në Milano, me urdhër të gjykatës.