Rritja e pagave për deputetët, Sali Berisha: Betejë në Parlament për të vendosur minimumin jetik 200 Euro

0

Nesër pritet që në Parlament të diskutohet dhe votohet projektligji për rritjen e rrogave për të gjitha kategoritë, përfshirë këtu edhe ministrat e deputetët të cilët një ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë i dyfishuan vetes pagat.

Duke folur për këtë çështje, Sali Berisha tha se për të më e rëndësishme është që në Shqipëri të vendoset minimumi jetik prej 200 Euro.

Për këtë, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Sali Berisha u kërkoi të vetëve që të përgatisin amendamentin dhe ta dorëzojnë për të diskutuar nesër në Parlament.

“Emergjenca e emergjencave për mua është votimi i minimumit jetik. Ne duhet të votojmë minimumin jetik të përllogaritur nga Avokati i Popullit. Avokati i Popullit ka përdorur ekspertët më të mirë dhe ka gjetur se minimumi jetik aktualisht në Shqipëri është 200 Euro. Ndaj dhe ne do kërkojmë në mënyrë të prerë hapi i parë drejt rritjes së rrogave duhet të fillojë me vendosjen e mimimunit jetik.

E kemi premtuar dhe gjatë fushatës, Shqipëria i ka të gjitha kushtet për të përballuar, ndaj dhe minimumi jetik nënkupton këtë që nuk ka shqiptarë që nuk do ketë 200 Euro pagë mujore për ekzistencën e tij. Nuk është e vërtetë që kjo është për 3 milionë shqiptarë, kjo është një shtesë mbi pensionet po, një shtesë mbi ndihmën ekonomike po, një shtesë mbi ata që s’kanë asgjë, por kjo është plotësisht e përballueshme dhe ju garantoj që çdo shtet do tregonte përgjegjësinë më minimale ndaj qytetarëve të vetë, katastrofën e pagave do ta fillonte me minimumin jetik.

Ndaj dhe ne në parlament do bëjë një betejë të fuqishme për të amenduar ligjin dhe filluar jo nga rrogat e deputetëve, Presidentit dhe ministrave por nga minimumi jetik. Është plotësisht i përballueshëm. Mendoj të përgatisim amendamentin ta dorëzojmë dhe nesër kjo është tema jonë në parlament”, u shpreh Sali Berisha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu