Rritje e nivelit të borxheve të shtetit shqiptar në prag të zgjedhjeve

0

Rritet ndjeshëm niveli i borxheve të shtetit shqiptar në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Të dhënat e ministrisë së financave tregojnë se vetëm gjatë muajit janar të këtij viti detyrimet e prapambetura janë rritur me rreth 11 milionë euro. Në total rezulton se në janar janë krijuar 15,3 miliardë lekë ose 123, 8 milionë euro nga 14 miliardë lekë që ishin në dhjetor të 2020 ose 1,3 miliardë lekë më shumë.

Ajo që konstatohet gjatë këtij muaji është fakti se zëri që ka pësuar rritjen më të madhe të borxhit rezulton se është infrastruktura. Shpesh në Shqipëri ka qenë problem fakti që shumë projekte nisnin pa pasur ende në gjendje fondin duke u renditur si borxh.

Vetëm gjatë muajit janar ky zë ka pësuar një rritje me rreth 9.3 miliardë lekë më shumë nëse e krahasojmë me muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Problem në nivelin e borxheve të qeverisë shqiptare janë ndër të tjera edhe rimbursimi i TVSH-së, vendimet gjyqësore për largimet nga puna apo vendimet për arbitrazhin.

Ekspertët i  përcaktojnë  këto të dhëna një borxh të fshehur për vendin tonë, një fakt që ve në rrezik financat shqiptare. Në total në 2020 borxhet e qeverisë llogariten me rreth 193 milionë euro por Kontrolli i Lartë i shtetit dhe ekspertët shprehen si niveli real i detyrimeve është disa herë më i lartë.

Sipas vlerësimeve të KLSH  borxhi i qeverisë arrin në rreth 600 milionë euro. Këto shifra shihen si një ngërç shumë serioz për ekonominë sidomos në këtë periudhë pandemie. Për të shmangur krijimin  një zinxhiri të tillë borxhesh ekspertë të fushës kërkojnë ndryshime ligjore duke ia kaluar përgjegjësinë drejtuesve të institucioneve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu