Rruga sekrete drejt Britanisë! The Telegraph: Si trafikantët shqiptarë e kalojnë kufirin me Facebook

0

Një hetim i gazetës The Telegraph ka zbuluar se banda kriminale shqiptare kërkojnë deri në 4,000 paund për person për të realizuar hyrjen ilegale në Britani përmes rrugëve të fshehta, të cilat i përshkruajnë si “mënyra të sigurta” për të shmangur kontrollet kufitare.

Skema funksionon kështu: emigrantëve shqiptarë u jepen karta identiteti të falsifikuara italiane për të udhëtuar me avion drejt Irlandës. Më pas, ata kalojnë ilegalisht në Britani me tragete nga Irlanda e Veriut, ku më pas kërkojnë azil duke përdorur pasaportat e tyre shqiptare, ose punojnë në mënyrë të paligjshme.

Facebook është bërë një platformë e zakonshme për promovimin e këtyre rrugëve ilegale. Në disa grupe shqiptare në këtë rrjet social, kontrabandistët publikojnë oferta për udhëtime me aeroplan, kamion ose jaht, duke i reklamuar si alternativa ndaj kalimeve të rrezikshme përmes Kanalit të La Manshit.

Për shkak të goditjeve të fundit ndaj rrjeteve të kontrabandës dhe një skeme të përshpejtuar dëbimi, numri i shqiptarëve që mbërritën me anije të vogla në Britani ra nga 12,658 në vitin 2022 në më pak se 1,000 në vitin 2024. Kjo ka detyruar autoritetet britanike si Forca Kufitare dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) të përshtatin strategjitë e tyre.

Në prill, autoritetet kapën një jaht në Kornuoll me 20 shqiptarë të fshehur brenda. Ndërkohë, në një operacion tjetër në Irlandën e Veriut muajin e kaluar, u arrestuan 33 persona të përfshirë në rrjetet e trafikimit të njerëzve që abuzonin me Zonën e Përbashkët të Udhëtimit (CTA), e cila lejon lëvizjen e lirë midis Irlandës dhe MB-së pa pasaporta për shtetasit e të dy vendeve.

Sipas Ben Thomas, zëvendësdrejtor për zbatimin e ligjeve të imigracionit në Ministrinë e Brendshme:
“Rrjetet kriminale kërkojnë të shmangin kontrollet e forta kufitare përmes mashtrimeve dhe shpesh shfrytëzojnë njerëzit e ndjeshëm. Arrestimi i 33 individëve është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e sigurisë kufitare të Britanisë.

Në një grup në Facebook të quajtur “Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar”, një trafikant u shpreh:
“Kush dëshiron të shkojë në ishull dhe të bashkohet me familjen? Ne kemi mënyrat më të mira dhe ofertat më të mira.”

Një gazetar që u infiltrua si emigrant i mundshëm u këshillua të udhëtonte nga Shqipëria në Itali me pasaportën shqiptare, pastaj në Dublin me letërnjoftim italian. Trafikanti e siguroi se dokumentet janë “të vërteta” dhe “nuk ka kontrolle në porte”. Ai theksoi se “në Dublin kërkohet azil me pasaportën shqiptare, pastaj kalohet në Irlandën e Veriut e më pas në Britani, ku nuk ka kontrolle kufitare”.

Reklamat në Facebook vazhdojnë pa u ndalur. Një postim i 7 qershorit në një grup të quajtur “Punë në Mbretërinë e Bashkuar”, me afro 18,000 anëtarë, ofronte transport me kamion, jaht apo aeroplan. Të tjera postime kërkonin 5,000 paund për një udhëtim me kamion drejt Britanisë ose ofronin shërbime për ndihmë në përgatitjen e dokumenteve për azil, përfshirë letra dhe fotografi të rreme.

Njëra prej llogarive, me emër femre, pretendonte se punonte për Ministrinë e Brendshme dhe ofronte “ndihmë me dokumente dhe përgatitjen e rastit të azilit”.

Meta, kompania mëmë e Facebook-ut, tha se ka hequr mijëra postime të tilla, duke përfshirë ato që i raportoi The Telegraph. Në një deklaratë, kompania u shpreh:
“Kontrabanda e njerëzve është vepër kriminale dhe kur na njoftohet për raste të tilla, i heqim menjëherë nga platformat tona. Që prej vitit 2021 jemi duke bashkëpunuar me NCA-në në këtë fushë.”

Vitin e kaluar, janë hequr mbi 8,000 postime që promovonin emigrimin e paligjshëm në platforma të ndryshme sociale.