Rusia kritikon Poloninë për ndalimin e hyrjes së ministrit të Jashtëm Lavrov në takimin e OSBE-së

0

Rusia denoncoi sot atë që e quajti një vendim “provokues” të Varshavës pasi Polonia refuzoi të lejojë ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të hyjë në territorin e saj për një takim të ministrave të jashtëm të OSBE-së.

“Vendimi i Polonisë është provokues dhe i paprecedentë”, tha diplomacia ruse në një deklaratë. “Varshava jo vetëm që u diskreditua në këtë mënyrë, por gjithashtu shkaktoi një goditje të pariparueshme për prestigjin e të gjithë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

Polonia, e cila po organizon takimin ministror të OSBE-së në fillim të dhjetorit, njoftoi dje se i mohoi Lavrov hyrjen në territorin e saj.

“Ne presim që Federata Ruse të zgjedhë anëtarët e delegacionit të saj në përputhje me rregullat aktuale,” i tha AFP një burim nga presidenca e rradhës e organizatës, e mbajtur nga Varshava këtë vit.

Sipas këtij burimi, delegacioni rus nuk duhet të “përfshijë individë që janë sanksionuar nga Bashkimi Evropian” pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, përfshirë Lavrov.

“Ne jemi të sigurt se të gjithë politikanët e arsyeshëm ndajnë pikëpamjen e palës ruse se veprime të tilla janë të papranueshme”, tha diplomacia ruse. “Këto vendime të dëmshme të polakëve po e shtyjnë OSBE-në në humnerë,” tha ai, duke akuzuar OSBE-në se është kthyer në një “fushë” për “stërvitje anti-ruse”.

Takimi i 57 ministrave të jashtëm të OSBE-së do të mbahet më 1 dhe 2 dhjetor në Łódź, një qytet në Poloninë qendrore.

Delegacioni rus do të udhëhiqet nga ambasadori rus në OSBE, Aleksandër Lukasheviç, sipas Moskës.

Që nga themelimi i saj në 1975 në zemër të Luftës së Ftohtë për të promovuar dialogun Lindje-Perëndim, OSBE-ja është e vendosur në Vjenë, Austri.

Sesioni vjetor ministror i OSBE-së, në të cilin zakonisht merr pjesë Lavrov, është organi qendror i kësaj organizate ndërkombëtare, i cili është përgjegjës për vendimet e saj.

Është mundësia që ministrat e jashtëm të rishikojnë punën e OSBE-së në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu