TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitet në SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.
Ai është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme me akuzën e korrupsionit për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Seanca gjyqësore për çështjen në fjalë është caktuar më 21 korrik 2025, ora 10:30.
Seanca e parë në themel në Gjykatën e Posaçme për dosjen Partizani, nuk u zhvillua pasi ish-kryeministri Sali Berisha i marrë i pandehur për korrupsion nuk ishte njoftuar sipas ligjit si dhe nje nga kompanitë e sekuestruara nga SPAK, nuk kishte përfaqësues ligjor në seancën e së hënës.
Berisha nuk ishte vetë i pranishëm por përfaqesohej nga avokatët e tij mbrojtës.
Gjykata relatoi se punonjësit e policisë kanë dorëzuar fletëthirrjen në banesën e Berishës për seancën e së hënës dhe ajo u firmos nga dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi. Por ky i fundit i tha gjykatës se nuk kishte mundësi të vinte ne dijeni Berishën.
Edhe avokatët e tij mbrojtës pretenduan se nuk kishin patur komunikim se fundmi me Berishën dhe nuk kishin dijeni nëse ai ishte njoftuar apo jo për seancën.