Sara Zekaj: “Besoj te shqiptarët. E ardhmja është e vështirë, por jo e pamundur”

0

Elbasan, 28 prill 2025 – Kandidatja për deputete e Partisë “Mundësia”, Sara Zekaj, ishte e ftuara e radhës në ‘Bahiti’s Podcast’ me moderatore Anisa Bahiti, ku ndau mendimet e saj mbi sfidat dhe pritshmëritë në rrugën drejt politikës aktive.

Në një rrëfim të sinqertë, Zekaj pranoi se rruga drejt ndryshimit është e mbushur me pengesa dhe vështirësi, por theksoi se kjo nuk e bën atë të pamundur. “Unë jam optimiste, por edhe realiste. Çdo ditë takoj njerëz dhe bisedoj gjatë me ta, jo thjesht si elektorat, por si bashkëbisedues të vërtetë. Shoh që, pavarësisht se cilës parti i përkasin apo ku punojnë, shumica janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga politika aktuale. Njerëzit duan ndryshimin,” deklaroi ajo.

Gjatë bisedës, Sara Zekaj vuri theksin te besimi në qytetarët shqiptarë dhe rëndësia e vetëdijes për fuqinë e votës. “Besoj që shqiptarët do të mendojnë për të mirën e përbashkët, duke votuar me ndërgjegje dhe liri,” u shpreh kandidatja e Partisë “Mundësia”, duke dhënë një mesazh shprese për të ardhmen.