Sara Zekaj, një figurë e re dhe e pavarur nga status quo-ja politike, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Qarkun e Elbasanit, nën siglën e partisë “Mundësia”. Me një eksperiencë të gjatë në terren, Sara ka punuar disa vite me të rinjtë dhe zhvillimin social-ekonomik të komuniteteve. Për të, politika nuk duhet të mbetet monopol i individëve që janë shkëputur nga realiteti, por duhet të jetë reflektimi i zërave të qytetarëve dhe sfidave të tyre. Pikërisht për këtë arsye, ajo vendosi të kandidojë dhe, me besimin dhe mbështetjen e njerëzve, të përfaqësojë Qarkun e Elbasanit në Parlament.
Kush është Sara Zekaj?
Sara Zekaj është një profesioniste e përkushtuar në fushën e angazhimit komunitar, komunikimit dhe politikave rinore. E lindur dhe rritur në Elbasan, ajo hodhi hapat e saj të parë në aktivizëm që në vitet e shkollës së mesme, kur drejtoi Senatin e Gjimnazit “Dhaskal Todri” dhe u zgjodh Presidente e Parlamentit Rinor të qytetit.
“Duke drejtuar këto dy struktura të rëndësishme rinore, mësova për herë të parë se çfarë do të thotë përfaqësim dhe vendimmarrje kolektive”, shprehet Sara. Problemet e të rinjve, si mungesa e ngrohjes në shkolla, braktisja e arsimit apo mungesa e aktiviteteve sociale, ishin çështje të cilat ajo i ka adresuar si problematika për zgjidhje në institucionet e duhura.
Pas shkollës së mesme, ajo ndoqi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve të studimeve, angazhimi i saj nuk u kufizua vetëm në auditore; ajo ishte pjesë e dhjetëra trajnimeve, konferencave kombëtare e ndërkombëtare, si dhe përfitoi bursën Erasmus për një vit akademik në Universitetin Masaryk në Republikën Çeke.
Gjatë kohës së saj në universitet, Sara ishte bashkëthemeluese e degës së Organizatës Europiane të Studentëve të Drejtësisë (ELSA) dhe një zë i fuqishëm në protesta studentore dhe qytetare.
Pas diplomimit, karriera e saj përshiu përvoja të shumta në sektorin privat ligjor, administratën publike dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe IOM Albania. Ajo fitoi bursën prestigjioze Chevening nga Qeveria Britanike, duke ndjekur studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri në Universitetin e Westminsterit, Londër. Pas kthimit në Shqipëri, u angazhua në projekte për fuqizimin e të rinjve, zhvillimin e komuniteteve dhe parandalimin e migracionit të parregullt.
Si u angazhua në politikë, kush e ftoi dhe pse beson te kjo forcë politike?
Për Sarën, angazhimi në politikë duhet të vijë si përgjigje e një thirrjeje të brendshme. Për të, kjo thirrje ka qenë e hershme dhe është zhvilluar natyrshëm përmes aktivizmit të saj në shoqërinë elbasanase. Ajo ka pasur ftesa për t’u angazhuar nga disa parti politike që në moshë të re, por besonte se duhej të rritej më shumë, si në aspektin personal ashtu edhe në atë profesional. Ajo mendon se politika kërkon përkushtim, investim dhe vendosmëri si në opozitë, ashtu edhe në pushtet. Mbi të gjitha, ajo beson se për të kandiduar dhe përfaqësuar qytetarët, duhet të kesh punuar dhe dhënë një kontribut në shoqëri.
Një premtim për të ardhmen
Sara Zekaj e sheh politikën si mjet për të bërë ndryshimin që qytetarët meritojnë. Me fokus te zhvillimi ekonomik, përkrahja e sipërmarjes dhe fuqizimi i të rinjve, ajo premton të sjellë në Parlament një model të ri të përfaqësimit.
“Besoj fort se çdo individ ka në dorë një zgjedhje: të ndërtojë apo të shkatërrojë – dhe unë kam zgjedhur të ndërtoj. Ne kemi në dorë të ardhmen tonë. Le ta ndërtojmë së bashku.”