Një atentat ndodhi mbrëmjen e kaluar në rrugën dytësore të aksit Tiranë-Durrës, pranë Rinasit ku mbeti i vrarë Iljaz Cali. Por teksa ishte për t’u futur për në kryeqytet, atij i bëhet pritë dhe qëllohet për vdekje me breshëri kallashnikovi. Mësohet se viktima ka qenë shok i ngushtë i Gjin Nikës, i ekzekutuar në 5 prill 2014 pranë Fushë Krujës, e gjitha për shkak të “luftës” së përgjakshme të kromit.
Kjo është një prej pistave që po heton Policia dhe Prokuroria e Tiranës. Nga të dhënat e deritanishme, vrasja e Iljaz Çalit me shumë gjasa ka ndodhur pas përplasjeve për kapjen e galerive të kromit në zonën e Bulqizës. Çali prej janarit 2011 disponon 50% të aksioneve në kompaninë Çali-Metal, ndërsa gjysmën tjetër të biznesit e ka vëllai i tij, Zeqir Nika.
E shkuara duket se nuk është “më e pastra” për viktimën 37-vjeçar, i cili ishte dënuar në vitin 2018 edhe për kultivim kanabisi. Pas grabitjes së parave në Rinas, policia shtoi forcat në zonë dhe gjatë një kontrolli rastësor ata kanë shkuar në një banesë duke gjetur 682 rrënjë kanabis.
Megjithatë kohët e fundit Çali kishte vendosur që t’i dedikohej zotit, duke u kthyer në një besimtar të devotshëm. Në zonën e tij, pranë të cilës edhe u vra, ai kishte paguar për ndërtimin e një xhamije për të gjithë besimtarët myslimanë, duke lënë të kuptohet se kishte ndryshuar kursin e jetës, megjithatë nuk e harruan të tjerë. Oranews