KOSOVË- Për të 19-tën herë në Kuvendin e Kosovës, edhe sot ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Kryesuesi i Seancës Konstitutive, Avni Dehari ka ndërprerë sërish seancën e Kuvendit duke njoftuar se do të mbahet më datë 23 maji në orën 11:00.
Partitë refuzuan për të 19 herë që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin. PDK, LDK dhe AAK sërish refuzuan të propozonin emrat e tyre për anëtarë të këtij komisioni.
PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre. Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.