Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe deputetë të PS përcjellin urimet e tyre me rastin e Pashkës Katolike nga Kisha Shën Piu X në Elbasan

0

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe deputetë të PS përcollën urimet e tyre me rastin e Pashkës Katolike nga Kisha Shën Piu X në Elbasan.
Ata u pritën nga famulltari i kësaj kishe Giuseppe Testa i cili dha mirëserdhjen në këtë ditë të veçantë për besimtarët katolikë, ditë e cila simbolizon ringjalljen, shpresën dhe vazhdimësinë.
Si një simbol i shkëlqyer i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, edhe në këtë ditë, përfaqësues të të gjithë komuniteteve fetare ndanë urimet së bashku.
Numri dy i PS vlerësoi harmoninë fetare që mbizotëron në Shqipëri, por mbi të gjitha në Elbasan:
”Ne si ekip politik ju urojmë gjithçka të mbarë. Vërtet kjo është një ditë e veçantë për të gjithë, por ky është një muaj i bekuar për të gjithë ato që përfaqëson dhe Elbasani, me të gjitha komunitetet fetare këtu në paqe dhe harmoni, siç i takon këtij qyteti.
Secili nga komunitetet tuaja kontribuon në këtë drejtim dhe ne ju urojmë gëzuar. Të jetë një ditë e bekuar për të gjithë shqiptarët! tha Gjiknuri.
Më tej Gjiknuri theksoi rëndësinë që kanë besimet fetare, cilatdo qofshin ato për të përçuar mesazhe paqe dhe bashkimi:
“Jam përkrahës i jashtëzakonshëm i çdo besimi sepse paqton njerëzit. Çdo lidership i kujtdo besimi, edhe pse mund të përballet me vështirësi, përsëri reflekton paqe dhe kupton çfarë është më e rëndësishmja.”
Më tej Ministrja Kushi theksoi se kjo bashkëjetesë e shkëlqyer fetare duhet promovuar dhe përçuar ndër breza:
“Kjo është e bukura e harmonisë tonë sepse mbrëmë ishim të gjithë në iftar ndërsa sot festojmë bashkë Pashkët Katolike. Është një vlerë që duhet ta ruajmë të gjithë dhe ta përcjellim brez pas brezi.
Gëzuar të gjithëve!”
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja uroi besimtarët kudo ndodhen për paqe e harmoni:
“Gëzuar! Qofshin Pashkë të bardha e të mbara për të gjithë besimtarët katolikë!
Kjo sofër miqsh dhe harmonie fetare është shembulli më i mirë i Elbasanit. Ky është muaji ku të gjithë në Shqipëri festojnë. Ne në Elbasan festojmë të gjitha festat fetare me harmoni dhe dashuri mes njëri tjetrit.
Gëzuar Pashkët!”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu