Selena Gomez shprehet se ka “edhe një tjetër album” para se të tërhiqet nga muzika. “Kam bërë shumë qejf me muzikën dhe me turnetë”, tha ajo në podkastin “Smartless”, duke shtuar se ndoshta do të zgjedhë si karrierë kinemanë.
Ajo theksoi se ende s’e ka vendosur, pasi argëtohet shumë edhe me projektet kinematografike: “Sa më shumë rritem, më shumë mendoj se duhet të gjej diçka ku të përkushtohem. Mendoj se kam vetëm një album dhe me shumë mundësi do të zgjedh aktrimin. Dua ta marrë me qetësi, sepse jam e lodhur”, tha ylli i “Only Murders In the Building”.
Albumi i fundit i Sel ishte “Rare” në vitin 2020. Që pas asaj periudhe, ajo është shfaqur në disa seriale. Pavarësisht se është ndër këngëtaret më të suksesshme në treg, ajo s’ka bërë një turne qysh prej vitit 2016. “Revival” ka qenë turneu i saj i fundit, disa shfaqje prej të cilit u detyrua t’i anulojë për shkak të diagnostikimit me lupus*.
Më pas, Gomez u diagnostikua me çrregullim bipolar dhe 2 vite më vonë, mori trajtim të specializuar për shkak të sëmundjes mendore. Që prej asaj periudhe, ajo ka qenë një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin ndaj sëmundjeve mendore.