Vazhdon bllokada në Jarinje edhe sot kur u shënua dita e tetë që kur qeveria mori vendimin për vendosjen e reciporcitetit të targave me Serbinë. Protestues serbë vazhdojnë të mbajnë të bllokuar këtë pikë kufitare.
Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, i cili po qëndron në Jarinje prej mëngjesit ka treguar për situatën aktuale atje.
Thotë se gjatë ditës situata ishte e qetë derisa janë parë pjesëtarë të KFOR’it amerikan dhe polak.
Patrullimin po e vazhdon edhe EULEX.
“Gjatë ditës së sotme është ngritur edhe një tendë e cila u prit me brohoritje nga protestuesit serbë”, raportoi ai.
Por situata duket më ndryshe në orët e mbrëmjes kur temperaturat kanë rënë dhe ka filluar shiu.
Gazetari thotë se protestuesit serbë kanë ndezur zjarre për tu ngrohur derisa po këndojnë këngë me motive nacionaliste.