Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka shprehur shqetësimin ambasadorit të Serbisë në vendin tonë, pas dëbimit të dy shtetasve shqiptarë që ishin pjesë e një seminari në Beograd së bashku me një grup të rinjsh nga organizata joqeveritare nga vendet e BE-së.
Ambasadori Slobodan Vukeviç është thirrur në Ministrinë e Jashtme ditën e sotme ku i është komunikuar ky shqetësim si dhe janë kërkuar sqarime në lidhje me këtë rast.
Dhjetra të rinj dhe të reja merrnin pjesë në një seminar në Beograd të organizuar nga OQJ me bazë në Austri dhe vende të tjera të BE-së kur hoteli i tyre u bastis nga policë civilë dhe ata u dëbuan nga Serbia me pretendimin e “cenimit të sigurisë kombëtare”. Atyre gjithashtu iu është ndaluar hyrja në Serbi për një vit.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:
REAGIM I MEPJ NË LIDHJE ME NDALIMIN DHE LARGIMIN NGA TERRITORI I SERBISË TË DY SHTETASVE SHQIPTARË
Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçevi?.
Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.
Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd.