Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish i kanë bërë thirrje Serbisë që të vërë para drejtësisë ata që kanë kryer vrasjen e vëllezërve Bytyçi, si dhe ata që kanë mbuluar atë krim.
Shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u vranë 24 vjet më parë.
“Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe kanë mbuluar këtë akt brutal. Ne do ta vazhdojmë këtë thirrje derisa drejtësia të vihet në vend”, ka shkruar në Twitter zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ambasada amerikane në Serbi theksoi në Twitter se “çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte, është një fyerje për sundimin e ligjit”.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi, pas luftës në Kosovë.
Ata luftuan si pjesë e “Brigadës së Atlantikut” në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës në Kosovë, ndërkaq u arrestuan pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, në kufirin me Kosovën, për kalim ilegal në Serbi.
Pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje prej 15 ditësh, ata u liruan nga burgu, por policia serbe i dërgoi në bazën e Njësive Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Petrovo Sellë, e cila ishte nën komandën e Goran Radosavleviq Gurit.
Radosavleviq hodhi poshtë çdo përgjegjësi për vdekjen e vëllezërve Bytyçi.
Trupat e tyre, me duar të lidhura dhe plagë nga plumbat e shkrepur në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sellë, në Serbinë lindore, së bashku me trupat e tjerë të shqiptarëve të Kosovës.
Në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi Rezolutën për rastin e vrasjes së shtetasve të saj, vëllezërve Bytyçi, në vitin 1999 në Serbi.
Në rezolutë është theksuar se “individët përgjegjës për vrasjet e qytetarëve amerikanë në Serbi, në korrik të vitit 1999, duhet të sillen para drejtësisë” dhe se SHBA-ja duhet “investojnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetuar dhe ndjekur penalisht persona të tillë”. REL