SHBA-ja informoi Rusinë për vizitën e Bidenit në Kiev

0

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan ka konfirmuar se delegacioni presidencial e ka informuar Rusinë për udhëtimin e presidentit amerikan, Joe Biden për Kiev.

Udhëtimi është planifikuar që disa muaj, mirëpo vendimi është marrë të premten.

Shtëpia e Bardhë është thënë të ketë njoftuar rusët për udhëtimin e Bidenit disa orë para nisjes për në Kiev, në mëngjesin e së dielës.

Biden ka qëndruar më shumë se pesë orë në kryeqytetin ukrainas duke u konsultuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për hapat e radhës, teksa lufta e Rusisë në Ukrainë mbush për pak ditë një vit.

Presidenti amerikan e ka quajtur luftën në Ukrainë si “brutale dhe të padrejtë”.
“Një vit më vonë, Kievi qëndron”, ka thënë Biden pas takimit me Zelenskyn në Pallatin Mariynskiy.

“Ukraina qëndron. Demokracia qëndron. Amerikanët janë me ju dhe bota është me ju”, ka thënë Biden në sallën e mbushur me flamuj amerikanë dhe ukrainas.

Ai e ka bërë të ditur se SHBA-ja do të ndajë ndihmë ushtarake në vlerë të 500 milionë dollarëve për Ukrainën, duke përfshirë raketa, radarë për mbikëqyrje dhe armë tjera.

Deri më tani, SHBA-ja ka ndarë më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, prej nisjes së luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu