SHBA kërkon mbylljen e UNMIK: Mision i fryrë, pa efekt dhe me kosto të lartë

0

SHBA- Shtetet e Bashkuara i kërkuan të hënën Këshillit të Sigurimit të OKB-së të fillojë procesin e mbylljes së Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), duke e cilësuar si “të panevojshëm” dhe “një humbje fondesh”. Ambasadori amerikan për reformën në OKB, Jeff Bartos, deklaroi se “Kosova nuk përballet më me krizë sigurie dhe UNMIK nuk ka më rol në qeverisjen e saj”. Ai e përshkroi misionin si “i fryrë, jo paqeruajtës”, ku 81% e buxhetit shkon për paga dhe shërbime të brendshme që mund të menaxhohen nga aktorë të tjerë.

Bartos kritikoi edhe takimet e shpeshta të Këshillit për Kosovën, duke i cilësuar “performative” dhe “humbje kohe”, që i heqin vëmendjen krizave globale reale. Ai theksoi se SHBA mbështet rishikimin e mandatit të UNMIK dhe shpërndarjen e detyrave të tij tek organizata të tjera. Në përmbyllje, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për paqe dhe të synojnë njohjen reciproke.

“Këto takime të shpeshta e të panevojshme për UNMIK-un janë humbje kohe dhe fondesh, dhe ulin rëndësinë e punës që ky Këshill duhet të kryejë. Siç kemi theksuar vazhdimisht, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në identifikimin dhe eliminimin e shpenzimeve të panevojshme dhe të kotë në Kombet e Bashkuara”, tha Bartos.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga 108 shtete, përfshirë ShBA-në. Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj dhe tensionet në veri të Kosovës kanë mbetur të larta.