ITALI- Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në zonën e Borgo Panigale, pas një kontrolli që zbuloi armë zjarri dhe pajisje të dyshimta brenda makinës së tyre. Të ndaluarit, përkatësisht 34 dhe 37 vjeç, udhëtonin me një automjet tip Volkswagen Golf, ku policia gjeti një armë të vjedhur, municion dhe një dritë dore të modifikuar, që shërbente për të imituar kontrolle policore të rreme.
34-vjeçari u vu menjëherë në pranga dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë posedim të paligjshëm të armës së zjarrit, pranim të mallrave të vjedhura dhe përdorim të pajisjeve me simbole zyrtare të falsifikuara.
Ndërsa 37-vjeçari tentoi të largohej me dhunë në momentin e ndalimit, duke shkaktuar plagosje tek disa efektivë dhe duke dëmtuar një mjet të forcave të rendit. Ai akuzohet për kundërshtim të policisë, dhunë ndaj punonjësve të saj dhe dëmtim të pronës publike.





