Kreshnik Spahiu ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me debatet për protestat në Zvërnec dhe investimet e huaja në Shqipëri.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spahiu thotë se është shpallur non-grata nga tre shtete të rajonit – Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – për shkak të protestave që, sipas tij, ka zhvilluar ndër vite kundër asaj që e cilëson si “shitje të territoreve dhe pronave shqiptare me 1 euro” apo “falje të detit”.
“Unë jam shpallur non-grata nga 3 shtete, Greqi, Serbi dhe Maqedoni, për protestat kundër shitjeve të territoreve të pronave shqiptare me 1 euro apo faljen e detit. Në këto 3 shtete nuk lejohem të hyj edhe sot”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, ai hedh akuza të forta, duke pretenduar se “shërbimet sekrete ruse, greke dhe serbe paguajnë miliona euro në Shqipëri për të shkatërruar turizmin dhe investimet amerikane”, megjithatë pa paraqitur prova publike për këto pretendime.
Duke iu referuar protestave në Zvërnec, ai ngre pyetje ndaj protestuesve, duke vënë në diskutim kohën e reagimit të tyre ndaj investimeve të huaja në vend.
“Për këto arsye unë kam të drejtë morale të pyes protestuesit e Zvërnecit: Ku ishit ju 35 vjet kur investuan grekët, kinezët, rusët dhe serbët dhe pse u kujtuat pikërisht sot kundër amerikanëve?”, thotë ai reagim.
Deklarata e tij ka nxitur debat në rrjetet sociale, veçanërisht mbi rolin e investimeve të huaja dhe kundërshtimet ndaj projekteve të ndryshme zhvillimore në zonat bregdetare.





