Sherr pas ndeshjes Flamurtari-Elbasani, tifozët vlonjatë përplasen me lojtarët verdheblu

0

Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë përballë Flamurtarit, në takimin e vlefshëm për javën e 28-të të Superiores.

Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin e Vlorës, u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të skuadrës mike.

Pas përfundimit të sfidës janë regjistruar momente tensioni. Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa tifozë të Flamurtarit kanë hyrë në zonën e dhomave të zhveshjes.

Në video shihen mbështetës të skuadrës vendase teksa kërkojnë përballje fizike me futbollistët e Elbasanit, ndërsa nuk mungojnë edhe ofendime dhe kërcënime verbale.

Situata është qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilat kanë ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e incidentit.