“Sherr” për shkollat, Boçi i përgjigjet kryebashkiakut PS: Mashtrues!

0

 

Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana dhe ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi janë përfshirë në replika të forta në facebook lidhur me akuzat që selia blu ka bërë kundër qeverisë se në nisje të vitit të ri shkollor institucionet e arsimit nuk janë gati për të pritur nxënësit. Arbana i cilëson akuzat bllofe, ndërsa Boçi thotë se tashmë jemi në shtator dhe në vend të shkollave të ndërtuara, ka vetëm shkolla që po rrafshoheshin, ose projekte në 3D.

Postimi i kryetarit të bashkisë së Shijakut
Në tetë orë pune ju shpifni, ne punojmë! Bllofi i dytë i PD, të presim të tretin…‼ Kur u bëra pjesë e politikës e dija që në një moment suksesi do të isha dëshmitar i shpifjeve mbi punën time. Por unë zgjodha të jem i vërtetë dhe i drejtë me njerëzit. Ti shërbej atyre pa kushte. Është fatkeq ai njeri që kthen si qëllim në vetvete shpifjen. Dhe nuk lodhet nga ky ushqim i përditshëm profesional, edhe pse del bllof përpara fakteve.

Gjithmonë kam dashur të hesht kundër polemikave që sjellin gjuhën e urrejtjes dhe bëhen në emër të një xhelozie mbi suksesin e vërtetë të tjetrit. Puna e Kryeministrit dhe e bashkisë Shijak flet më shumë se çdo fjalë e juaja. Mund të bindni njerëzit që kanë zgjedhur të jenë nën verbërinë e një militanti me shpifjet tuaja, por kurrë qytetarët e ndershëm që çdo ditë e shikojnë ndryshimin pozitiv që po përjeton Shijaku.

Dhe e dini ku qëndron diferenca mes nesh. Sepse ne mendojmë dhe veprojmë pozitivisht. Ju mendoni dhe veproni negativisht. E mira triumfon mbi të keqen.

FAKTE

Në Shijak po ndërtohen dy gjimnaze dhe kopshti nr.1 që pritet të përfundojnë brenda nëntorit.

Shkollat “Petrit Llaftiu” dhe “Lidhja e Prizrenit” kanë nisur, janë në proces demolimi.

Shkolla “Rilindja” dhe Kopshti Nr.2 do të nisin së shpejti rindërtimin.

Në bashkëpunim me ZVA Shijak, rikthimi i nxënësve në çdo shkollë në qytet dhe në fshatra do të jetë me 100% siguri brenda protokolleve të vendosura për shkak të pandemisë.

Disa shkolla financohen nga buxheti i shtetit, disa nga UNDP. Sigurisht që procedurat janë të ndryshme. Kjo është dhe arsyeja që në paketën e parë me 143 shkolla përfshihet:

Gjimnazi “16 shtatori” Shijak

Gjimnazi “Kajo Karafili” Maminas

Kopshti nr.1 Shijak.

Bashkangjitur me foto Vendimi nr.84 datë 26.08.2020 me nr protokolli 7458/4 Për miratimin e prishjes së shkollës 9-vjeçare “Petrit Llaftiu” Shijak, miratuar nga Këshilli bashkiak dhe me verifikimin ligjor të prefektit të Qarkut Durrës, Roland Nasto.

Data e inspektimit nga Instituti i Ndërtimit është 23.07.2020, pas së cilës Bashkia Shijak ka vijuar procedurën e rregullt ligjore për të kryer procesin e demolimit dhe rindërtimit.

Sistemimi i shkollave nga ZVA Shijak.

Materiali i detajuar më poshtë me foto.

Distanca mes shkollave pritëse është 5 minuta. Shkolla më e largët është 1 km, gjë që nuk ngarkon fëmijët në përditshmërinë e tyre.

Ku ka vullnet, ka zgjidhje!

Reagim i Luciano Bocit
Tellalli dhe i Zoti. Në largim e sipër, pas dështimit të përditshëm këto 7 vjet, Rama i përgjigjet akuzave të opozitës me “tellallin” (kryetarin e bashkisë) e emëruar të bashkisë Shijak, i njëjti që figuron në përgjimet e dosjes 339. Elton Arbana që zakonisht flet me banditët për të blerë vota, sot ka mashtruar për ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti. Ndërsa kryemashtruesi premtoi se 143 shkollat, përfshirë dhe ato të Shijakut, do të ishin gati në Shtator, miku i banditëve në Shijak flet për një tjetër premtim. Ai ndryshe nga i zoti, “GATI” quan momentin e shembjes dhe jo momentin e ndërtimit.

Pak a shumë si me përgjimet: kemi fol me Avdylajt, por jo për votat. Ndërkohë ajo që duket qartë është fakti qe jemi në Shtator dhe në vend të shkollave të ndërtuara, ka vetëm shkolla që po rrafshoheshin, ose projekte në 3D. Nga katër shkolla të Shijakut, të përfshira në projektin e rindërtimit, vetëm në dy ka nisur puna, por dhe ato nuk do të presin nxënës në këtë shtator. 400 nxënësit e të dy shkollave 9 vjeçare, të sapo rrafshuara, “Petrit Llaftiu” dhe “Lidhja e Prizrenit”, duhet të shkojnë të bëjnë mësim tek “Muharrem Dollaku”, me gjithsej 9 klasa. Me turne, pa kushte për protokolle sigurie dhe me banga të vjetëruara, me mjete mësimore dhe libra të përdorura. Kjo është e vërteta dhe propaganda apo videot me regji qëndrore nuk e fshehin dot.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu