Shkarkohet nga detyra ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela

0

 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon nga detyra ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela.

Vendimi u komunikua nga kryesuesja e seancës Natasha Mulaj.

Vetë Prela nuk ishte e pranishme në seancë p;or u përfaqësua nga avokatja e saj, Blerina Dodaj.

Po çfarë e penalizoi Donika Prelën dhe cilat ishin konkluzinet e KPA?

KPA arriti në përfundimet e mëposhtme: Lidhur me pasurinë, apartament banimi me sipërfaqe 95.6 metra katrorë në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimit financiar të ligjshëm për të justifikuar pasurinë.

Në lidhje me pasurinë likuiditete në shumën 4,501,427.89 lekë rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimit financiar të ligjshëm për të justifikuar pasurinë.

Lidhur me transaksionin huadhënës në shumën 25 mijë euro Kolegji arriti në konkluzionin se kjo shumë është pasuri e subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të.

Për këtë pasuri rezultoi se ka mungesë të burimit financiar të ligjshëm për të justifikuar krijimin e saj dhe është kryer fshehje pasurie.

Bazuar në përfundimet e mësipërme Kolegji arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit Donika Prela ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së saj dhe personave të lidhur me të.

“Si rrjedhojë vendimi i Komisionit datë 05.02.2019 duhet ndryshuar pasi nuk gjendet i drejtë dhe i bazuar në fakte, prova dhe ligje. Për këtë arsye trupi gjykues vendosi ndryshimin e vendimit të KPK për Donika Prelën,dhe shkarkimin e saj nga detyra. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm” deklaroi Natasha Mulaj.

KPK e konfirmoi në detyrë

Donika Prela u konfirmua unanimisht në detyrë më 5 shkurt të vitit 2019 nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici.

Megjithatë, vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kritikoi justifikimin që trupa gjyqësore u bëri të ardhurave të pataksuara të bashkëshortit të Prelës.

Prokurorja Donika Prela i mbështeti kërkesat e saj për përjashtimin e Natasha Mulajt dhe Ina Ramës me hetimet e kryera ndaj të afërmve dhe familjarëve të tyre.

Por dy kërkesat e prokurores Donika Prela për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues janë rrëzuar si të pabazuara nga dy trupa gjykuese të Kolegjit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu