Një akt i rëndë është shënuar në Universitetin e Salentos, ku një tabelë përkujtimore kushtuar Ilaria Sulas, studentja shqiptare 22-vjeçare e vrarë në Romë nga ish-partneri i saj Mark Samson, është dëmtuar nga persona të paidentifikuar.
Nga tabela që përkujtonte vajzën dhe vendin e saj të rezervuar në një nga sallat e universitetit, është fshirë me laps ose stilolaps fjala “femminicidio” – një gjest që ka ngjallur reagime të ashpra.
Departamenti i Shkencave Humane dhe Sociale i universitetit denoncoi ngjarjen përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur “tronditje dhe dënim të fortë për këtë veprim”, të cilin e cilësoi si një fyerje ndaj kujtimit të Ilaria Sulas dhe të gjitha viktimave të dhunës me bazë gjinore.
Në tabelën e vendosur mbi karrigen e dedikuar për të, shkruhej:
“Ky vend është i rezervuar për Ilaria Sula, e vrarë për shkak të feminizidit. Sot edhe ajo do të ishte dashur të ishte në leksion.”
Pikërisht fjala “femminicidio” ishte fshirë nga kjo fjali.
Departamenti reagoi me një deklaratë të qartë:
“Ky veprim fyen kujtimin e Ilaria Sulas dhe të të gjitha viktimave të dhunës. Ai bie ndesh me vlerat tona të respektit, përfshirjes dhe përgjegjësisë qytetare që na udhëheqin çdo ditë në kërkime, mësimdhënie dhe angazhim shoqëror. Lufta kundër dhunës me bazë gjinore është për ne një angazhim konkret dhe jo thjesht teorik.”
DISUS (Departamenti i Shkencave Humane dhe Sociale) theksoi gjithashtu se do të vazhdojë të promovojë ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë përmes iniciativave, studimeve dhe hapësirave për dialog, me qëllim ndërtimin e një komuniteti universitar më të ndjeshëm, solidar dhe të lirë nga çdo formë diskriminimi.
Reagimi i babait të Ilaria Sulas, Flamur Sula, ka qenë i dhimbshëm:
“Më vjen keq për Ilarian. Me këtë veprim, po fyejnë kujtimin e saj dhe të të gjitha vajzave të tjera të vrara si ajo. Jam pa fjalë… Fatkeqësisht, në këtë botë ka edhe njerëz të tillë.”