TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetëesvë të mbledhur poshtë pallatit ka folur në lidhje me arsimin dhe investimet në këtë fushë. Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se shkollat në vend nuk ndërtohen më me 600 apo 700 mijë euro por me 8 milionë euro. Sipas tij nga këto para vidhen 80 përqind e investimit.
Berisha më tej shtoi se Shqipëria u dëshmua kampione në botë për rënien e cilësisë së arsimit në 8 vite pasi sipas tij këto 8 vite arsimi zbriti nën nivelin që kishte arsimi në vitin 2000. Kreu i PD-së shtoi se Shqipëria pati rënien katastrofale në testin PISA të cilësisë së arsimit.
Fjala e plotë:
Po tjetër? Shkolla nuk ndërtohet më me 600 apo 700 mijë euro. Ndërtohet me 8 milionë, ndërtohet me 6 milionë. Sepse vidhen 80 përqind e investimit. Po cili është rezultati? Rezultati më i hidhur, më i dhimbshëm, më turpërues, Shqipëria këtë vit në testin PISA, në 8 vitet e qeverisjes së tyre, dhe më lejoni t’u sqaroj se ky test përfshin ciklon 9-vjeçar. Pra, kur u plotësuan tetë vite të qeverisjes së tyre, në testin PISA të cilësisë së arsimit, Shqipëria pati rënien më katastrofale.
Shqipëria u dëshmua kampione në botë për rënien e cilësisë së arsimit në 8 vite. Shqipëria në këto 8 vite zbriti nën nivelin që kishte arsimi në vitin 2000. Ky është shërbimi që pushteti i krimit, i vjedhjes, i drogës u ofron fëmijëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të tyre, shkollimin.
Qytetarë dhe qytetare, duhet të refuzoni me përçmim propagandën që përpiqet t’u mashtrojë, përpiqet t’u bëjë shpëlarjen e trurit, të mohojë ato që arritët, vetëm e vetëm për të mbuluar dështimet e tij.
Çfarë shërbimi është ky më thoni ju mua? Mësuesit e mirë sot janë larguar. Zëvendësohen me militantë. Shkolla pra, e cila është vatra më e dytë për fëmijët pas familjes, është në ditën e saj më të zezë. Po pse kjo? Sepse paratë që ju jepni për shkollimin e fëmijëve tuaj, vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen. A mund të tolerojmë ne më tutje këtë situatë? A mund të pranojmë ne këtë rrokullisje të madhe?