‘Shkresa me shënimin për Shkëlzen Berishën është e falsifikuar’! Aldo Bumçi jep detaje pas daljes nga SPAK

0

Ish-ministri i Drejtësisë në kohën e Partisë Demokratike Aldo Bumçi ka folur për mediat pasi u pyet nga SPAK për çështjen “Gërdeci”.

“Unë isha i ftuar si person se ka dijeni për atë kohë që kam qenë ministër drejtësie, në kohën kur janë miratuar VKM-të. Nuk po flas se çfarë kam thënë aty. Qëndrimet e mia janë të dokumentuara në qëndrimet publike që ne kemi mbajtur në atë kohë”, tha Bumçi.

Gjithashtu Bumçi tregoi para mediave korrespondencat që kanë pasur dy ministritë, ajo e Mbrojtjes dhe ajo e Drejtësisë, ndërsa thekson se shkresa me shënimin për Shkëlzen Berishën është e falsifikuar dhe se shkrimi që gjendet në të nuk është i tij.

“Ministria e Drejtësisë kishte një sërë vërejtjesh dhe vendimi nuk miratohet. Atëherë vendosen kontakte midis dy ministrive që të merrnin parasysh vërejtjet. Por qëndrimin zyrtar Ministria e Mbrojtjes i kemi dërguar që nuk kemi vërejtje. Siç e ka Ministria e Drejtësisë besoj edhe organet e drejtësisë, përgjigjja e dërguar nga ne nuk ka shënime të tilla, veçse me datë dhe protokolle të shënuar. Kur ne i kemi çuar MB që nuk kemi vërejtje del një shkresë që ka një shënim për zotin Shkëlzen Berisha, por kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi. Përgjigjja jonë ishte disa ditë më parë se sa shkresa. Nuk kishte nevojë për një shkresë, sepse ata e kishin shkresën, por nëse unë kisha nevoja të komunikoja me Shkelzen Berishën do e bëja me faks? S’ke nevojë të çosh. Ministria i kishte shkresat të faktuar, shënimi në cepin e shkresës për zotin Shkëlzen Berisha. Ministri i Drejtësisë lë shënime për vartësit e tij dhe këto shënime të miat janë në shkresa të ministrisë që kam shërbyer. Por nuk ishte as imitim i shkrimit tim. Çështja u shqyrtua kur unë isha deputet i thjeshtë kam ndërmarrë dy akte. Si përgjegjësi politike kam rreshtuar faktet dhe kam bërë kallëzim penal në atë kohë dhe kam kërkuar të hetohet kaligrafia. Nuk ka dy shkrime njësoj, por e theksoj nuk ishte as imitim i shkrimit tim”, shtoi ai.

Ai u pyet për kohën kur është njohur me djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha dhe për këtë Bumçi u shpreh është njohur gjatë viteve 2004-2005, kohë në të cilën ai është angazhuar në politikë.

“Unë me z. Shkëlzen Berisha jam takuar kur angazhohesha në PD gjatë viteve 2004-2005. Takimet me Berishën kanë qenë strikte, kryesisht për fushata politike”, tha ai.

Bumçi tha se nuk i druhet një procedimi penal “jo, nuk i druhem”. Çështja “Gërdeci” u rihap pas kërkesës së prokurorisë për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu