Shpërdorim detyre në dy raste, SPAK kërkon 4 vite burg për Vangjush Dakon

0

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vite burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon. Ky i fundit i cili është në arrest shtëpie nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore, ku prokurori Sotir Kllapi kërkoi dënimin e tij me 4 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, Dakos do t’i ulet 1/3 e dënimit duke zbritur në 2.8 vite.

Për Fatmir Ejupin, ish-topograf i akuzuar për falsifikim dokumentesh, SPAK kërkoi 3 vite burg, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 2 vite burg. Edhe për ndërtuesin Fiqiri Farruku, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh, SPAK ka kërkuar 3 vite burg, që me gjykim të shkurtuar janë 2 vite burg dhe i pezullohet burgu, duke u vendosur në 4 vite shërbim prove. Gjithashtu edhe për Adrian Bulkun, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh, SPAK ka kërkuar 3 vite burg, që me gjykim të shkurtuar janë 2 vite burg dhe i pezullohet burgu duke u konvertuar në shërbim prove

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Lidhur me pallatin, ish-Kryebashkiaku Vangjush Dako akuzohet se ka zbardhur lejen me vonesë duke i hapur rrugë legalizimit dhe duke mos mbrojtur zhvillimin e territorit. Ndërsa sa i takon episodit të dytë, Prokurori Kllapi tha se gjatë seancës se Bashkia Durrës ka dashur të blejë projektin Promenadë. Në 2013-ën, Vangjush Dako ka ngritur një grup pune të përbërë nga 3 persona të tjerë. Grupi i punës ka bërë një gabim në projektim dhe sipërfaqe duke përcaktuar 24 hektarë dhe jo 2.4 hektarë sa ishte në të vërtetë. Ai u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu