Një variant i ri i Covid i njohur si NB.1.8.1 është përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në krahasim me variantin që dominon aktualisht në SHBA (LP.8.1) mediat amerikane shkruajnë se NB.1.8.1 ka një numër të vogël mutacionesh të reja në proteinën spike që mund të rrisin aftësinë e tij për t’u lidhur me qelizat tona.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dyshon se këto mutacione do të rrisin transmetueshmërinë e virusit dhe do të zvogëlojnë efektivitetin e antitrupave neutralizues që parandalojnë patogjenët të kapen në qelizat tona. Studimet thonë mediat amerikane sugjerojnë se varianti mund të jetë I aftë të shmangë disa prej mbrojtjeve imune.
Ndërkohë shenjat e NB.1.8.1 sipas një eksperti për sëmundjet infektive dhe studiuesi të lartë në Qendrën për Sigurinë Shëndetësore të Universitetit Johns Hopkins janë pak a shumë të njëjta me ato që shihen me variantet e tjera të Sars CoV 2.
Dy më kryesoret janë një kollë e thatë e lehtë, por e vazhdueshme dhe bllokim hundësh. Shumë njerëz që preken nga COVID preken gjithashtu nga lodhja dhe rraskapitja. Simptoma të tjera të zakonshme përfshijnë ethe, të dridhura, dhimbje fyti dhe dhimbje muskujsh.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë nuk ka prova që sugjerojnë se varianti shkakton sëmundje më të rëndë ose një rritje të shtrimeve në spital ose vdekjeve .
Sa i përket efektivitetit të vaksinave sipas specialisteve është ende herët për të folur pasi varianti është ende i ri dhe studimet janë të kufizuara. Megjithatë shkencëtarët sipas medias amerikane presin që vaksinat të reagojnë mirë dhe ndaj NB.1.8.1.