Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut hapin kufijtë në 1 janar 2023. Rama, Vuçiç e Zaev nënshkruajnë disa marrëveshje për minishengenin Ballkanik

0

Samiti i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal ka konkretizuar në letër një sërë marrëveshjesh përfshirë atë për lëvizjen e lirë të mallrave në pikat doganore dhe veturave, dakordësi që duhet të zbatohet në janar të vitit 2023.

I ashtëquajturi Mini-Schengen është pagëzuar me emrin zyrtar Open Balkan teksa Rama, Vuçiç dhe Zaev e vlerësuan nismën si një mundësi të artë për të mbërritur në shifra rekord të rritjes ekonomike.

Ndonëse nuk i përmendi emrin, Rama nuk kurseu ironitë për Albin Kurtin.

“Është për të ardhur keq e për të qeshur kur dëgjon europianë që pyesin çfarë po bëni? Ne nuk mund dot të lexojmë shifra e fakte të dhëna para syve tanë, jo nga ekspertët e qeverive tona, por organizmat financiare ndërkombëtare si BB, ku thuhet se nëse duam të rrisim Prodhimin e Brendshëm Bruto mund ta rrisim vetëm nga integrimi ekonomik.

Nuk mund ti privojmë vetes këtë potencial që ka rajoni por të bëjmë çmos të vrapojmë për të fituar një kohë të humbur. Nuk kemi pse presim që integrimin e rajonit, nga pikëpamja e 4 lirive të Europës ta bëjmë pasi të hyjmë në BE. Ne duhet ta bëjmë e do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Kjo është nismë e hapur për të gjithë e cilido që do të na bashkohet të na bashkohet por nuk mund të presim konsensus për tu takuar nga të gjithë.

Nuk mund të presim. Nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE-së këtu që çohet njëri e thotë unë vë veton e ju nuk duhet të takoheni, apo çohet tjetri e thotë vë veton e ju nuk duhet të nënshkruani këtë apo atë. Këtë nuk bëjmë dot. Nuk kemi luksin të humbasim kohë se kemi humbur shumë. Kemi humbur shekuj” tha Rama.

Në Forumin Ekonomik Rajonal në Shkup, Rama nënvizon se duhet vijuar me këmbëngulje për të ecur përpara, duke shtuar se kush nuk kupton është i destinuar të jetojë me të kaluarën.

“Kush nuk e kupton akoma sesa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona dhe krijuar më shumë punë e hapur perspektivë për vende pune sidomos për të rinjtë është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë të shkuarën port ë ardhmen përmes një nisme që nuk shpik gjë të re, por sjell në rajon një shembull kuptimplotë si BE, duke synuar jetësimin e lirinë e lëvijes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve.

Për çfarë arsye në botë duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz ndaj njëri tjetrit sic kemi ndenjur 500 vjet ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend ndaj BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet, jo thjesht nga çfarë bëjmë ne por çfarë mendojnë të tjerët, sepse në fund të ditës në momentin që do të integrohemi në BE do të bëjmë këtë që po bëjmë sot pa BE-në.Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt” tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu