“Shqipëria brenda vitit 2030 në BE”, Marta Kos lobon në Berlin, Paris dhe Kopenhagen

0

Komisionerja për zgjerimin e BE-së ka lobuar në Kopenhagen, Berlin e Paris për përshpejtimin e anëtarësimit të shteteve ballkanike në BE.

Në një intervistë me TV gjerman WELT, komisionerja e BE-së për zgjerimin Marta Kos tha se ka mundësi reale që Shqipëria të anëtarësohet deri në vitin 2030.

“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin në Ballkanin Perëndimor. Unë vij nga kjo zonë. Po ju paraqes një krahasim. Nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, që po ecin shumë mirë me reformat e integrimit. Ata e kuptojnë procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomisë së tyre, duke përfshirë edhe fusha të tjera të jetës. Nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjithë kapitujt e negociatave me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ka mundësi reale që të dyja këto shtete të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”, shprehet Komisionerja për zgjerimin e BE-së Marta Kos.

Kos vlerëson propozimin gjermano-slloven për heqjen e unanimitetit për vendimmarrjen në pranimin në BE të shteteve të reja.

“Vendimet finale i takojnë Këshillit Evropian, por Gjermania, së bashku me Slloveninë, ka bërë një propozim për të thjeshtuar rregullat me shumicë të kualifikuar. U takon shteteve anëtare që të vendosin se si të vazhdojë procesi, pasi ne t’i kemi përfunduar negociatat nga pikëpamja teknike. Ne u kemi premtuar shteteve kandidate se ato një ditë do të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së. Kur ato ecin në drejtimin e duhur dhe realizojnë kushtet e vëna, ne duhet që të tregojmë se jemi seriozë me ta”, shprehet Kos.

Kur bëhet fjalë për Ukrainën Kos iu referua Bankës Botërore, që parashikon se për rindërtimin e saj do të duhen më shumë se 500 miliardë Euro prandaj Bashkimi Evropian nuk mund ta menaxhojë atë vetëm pa ndihmën e SHBA-ve.