Shkon gjithmonë e më tepër në malore kjo fushatë e eliminatoreve të botërorit për Kombëtaren shqiptare. Me shumë mungesa në përbërje, si Kumbullën, Gjimshitin, Ismajlin dhe Veselin, pa tifozë dhe pas humbjes së thellë me Anglinë, kuqezinjtë në “Air Albania” sot janë të dënuar të fitojnë, për të arritur objektivin e vendit të tretë në këtë grup.
Trajneri Reja duhet t’i bëjë llogaritë pa shumë titullarë, të cilët për shkak dëmtimesh dhe kartonësh nuk do të jenë të disponueshëm.
Nga minuta e parë në portë pritet që të luajë sërish Strakosha, i cili do të ketë para tij në mbrojtjen me tre lojtarë, një repart të improvizuar, me Mihajn, Dermakun dhe Hoxhallarin. Nga krahët, Hysaj dhe Lenjani, duket të jetë si alternativa më e mundshme për 11-shen e mbrëmjes së sotme.
Ramadani dhe Laçi, me shumë mundësi, do të jenë muskujt e mesit të fushës, ndërsa Bajrami me shumë gjasa do të ketë për detyrë të jetë “truri” i skuadrës në këtë përballje, duke marrë për të dytën ndeshje radhazi, besimin për ta nisur si titullar kuqezi.
Në sulm, sikur të mos mjaftonte Broja i dëmtuar apo Cikalleshi i pezulluar, edhe Bekim Balaj nuk është stërvitur në seancën e fundit. Në të tilla rrethana pritet të luajnë nga minuta e parë Uzuni dhe Seferi, me sulmuesin e Tiranës, që është bashkuar në orët e fundit me skuadrën përfaqësuese.
Me një ekip të ndryshuar në pjesën më të madhe, Shqipëria kërkon një fitore që i duhet për të ruajtur vendin e tretë në grup dhe për arritur kuotën rekord të 18 pikëve, për të mbyllur me sukses këto eliminatore që patën disa ulje e ngritje.