Bandat shqiptare të krimit të organizuar kanë marrë vëmendjen e mediave britanike, të cilat pothuajse çdo ditë zbulojnë detaje. Media britanike “The Sun” ndalet te banda shqiptare “Hellbanianz”, anëtarët e të cilës jetojnë në disa kulla në pronën Gascoigne në Barking.
Sipas medias britanike, “rrjeti sekret i selisë së bandave të Britanisë është i përhapur në të gjithë vendin. Ata jetojnë në pallate, rezidenca apo kështjella. Por pas dyerve të përforcuara të këtyre qendrave të krimit shtrihet një botë dhomash paniku, dyqane armësh dhe luksi të jashtëzakonshëm. Në blloqet e kullave në pronën Gascoigne në Barking, gangsterët e armatosur shqiptarë janë në prag të marrjes nën kontroll të tregtisë së kokainës prej 5 miliardë paundsh në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan e përditshmja britanike.
“Duke u mburrur me flotat e Rolls Royces dhe Betleys, ‘Hellbanianz’ janë tregtarë ambulantë dhe zbatues të Mafias Shqiptare. Me miliona fitime, mafiozët ballkanikë kryejnë gjithashtu grabitje të armatosura në të gjithë kryeqytetin dhe mendohet se takohen pranë pijetores Kings Lounge”, shkruan ndër të tjera “The Sun”.
Në Shqipëri, anëtarët e këtij grupi që jo pak herë kanë zënë faqet e para të mediave ndërkombëtare, janë idhuj për një masë të madhe të rinjsh. “Vinz” dhe “Stealth”, emrat e vërtetë të cilëve janë përkatësisht Ervin Selita dhe Fatjon Dibra, të dy me origjinë nga qyteti i Burrelit, por që prej vitesh jetojnë në Londër, kanë dhënë edhe koncert në Tiranë tre vjet më parë, ku kanë mbledhur qindra adhurues të tyre, që prisnin në radhë për një autograf. Ndërsa në Angli, janë krejtësisht të përfshirë në industrinë e kanabisit, trafikut të kokainës, grabitjeve të vilave të mëdha, florinjve dhe diamanteve.
Këngët e Hellbanianz të mbushura me lirika nga ku krenohen për jetën e tyre dhe i këndojnë drogës përfshi ngritjen në piedestal të dhunës. Hellbanianz është një grup kriminal por në të njëjtën kohë dhe një bandë muzike (hip-hop kryesisht). Pjesëtarët më të rëndësishëm të grupit janë Ervin Selita (Vinz) dhe Fatjon. Stealth, Çim Peka, Klevis Rata-Kukes ose ndryshe Lockerbd. Origjina e tyre është nga Burreli dhe nga Kukësi e Hasi. Sipas policisë britanike, karteli famëkeq “Hellbanianz” janë bërë grupi i tretë më i madh i kriminelëve të organizuar në Angli sipas shtetësisë në pesë vitet e fundit, duke rritur pjesëmarrjen e tyre në treg me 42 për qind. “Hellbanianz” janë të bazuar në Barking, East London, dhe videot në Instagram tregojnë ata duke drejtuar automjete të performancës së lartë, të rrethuar nga mijëra paund.
Disa nga këta shqiptarë përveç Vinz dhe Stealth ishin Skilla YSkrilla A.S etj. Ata e quanin zonën e tyre GBlock dhe kanë bërë dhe një këngë për këtë. Ata rekrutonin sa më shumë të rinj dhe me pas filluan dhe mbështetjet me mafien Ndragheta. Me 5 shkurt të vitit 2022, Ervin Selita, i njohur me emrin e artit si Vinz, pjesë e grupit shqiptar Hellbanianz është vënë në pranga në Tiranë nga policia shqiptare dhe akuzohet për tentativë vrasjeje të Zeni Xhindit, pronar i një hoteli në Tiranë.
Selita, 30 vjeç, me origjinë nga Burreli ka qenë natën e 4 shkurtit të vitit kaluar në një hotel në rrugën “Tre vëllezërit Kondi” në Tiranë me të dashurën, E.D., 30 vjeçe e dy persona të tjerë të identifikuar si Xhuljano Selita, 23 vjeç dhe Erjon Mici 26 vjeç. Problemi ka nisur që nga recepsioni i hotelit pasi punonjësja që ndodhej aty ka kërkuar kartën e identitetit të Selitës dhe të të dashurës së tij.
Këmbëngulja e reperit që të fuste të dashurën në hotel pa dhënë ID-në vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat dhe recepsionistja ka njoftuar pronarin, Zeni Xhindi. Ky i fundit ka mbërritur në ambientet e biznesit të tij, por sërish gjërat nuk janë qetësuar. Sherri mes biznesmenit e reperit është zmadhuar dhe ky i fundit ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka tentuar që ta vrasë Xhindin. Me mbërritjen e policisë, Vinz është arrestuar bashkë me të dashurën e tij e cila akuzohet për moskallëzim krimi.
Të etjen e kaluar ka filluar zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-Britani e Madhe për deportimin e emigrantëve të paligjshëm ku 40 emigrantë të paligjshëm shqiptarë janë deportuar nga Britania e Madhe. Në mesin e të depërtuarve kishte nga ata persona që ishin të dënuar dhe kishin kryer vepra edhe vepra penale në Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë arsye janë deportuar në Shqipëri.
Pas intervistave shumica e tyre kanë bërë me dije se nuk duan të kthehen më të emigrojnë në shtetin britanik. Pas deklaratave të ministres së Brendshme britanike Suella Braverman, të deportuarit thonë se shqiptarët në Britaninë e Madhe tashmë trajtohen ndryshe.
“Pas deklaratave të ministres së Brendshme Braverman, shqiptarët në Britani trajtohen ndryshe dhe midis shqiptarëve dhe britanikëve ka biseda që thonë se Braverman ka deklaruar se për shumë pak muaj do të ‘pastrojë’ Britaninë nga shqiptarët që kanë emigruar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë njeri nga të kthyerit nga Britania e Madhe të etjen.
Thirrje për “pastrim” të shqiptareve ka bërë një ditë më parë edhe ministri britanik i Emigracionit Robert Jenrick. Ai përdori një gjuhë të ashpër për shqiptarët, në një video të publikuar në rrjetet sociale.
“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shtetasve të huaj. Dje vizitova një qendër imigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta emigrantët e paligjshëm por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, thotë ministri Robert Jenrick në një video.
Deklarata e ministrit britanik të Emigracionit, i cili dy ditë më parë tha se po punojnë për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë ka sjellë reagimin e ashpër të ministres së Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale thotë se është e tronditur nga gjuha e përdorur nga një ministër.
Ajo thotë se “veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”.
“Tej mase e tronditur kur dëgjoj një ministër shteti përgjegjës për emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë vetëm për disa vota. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Britanisë së Madhe ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturë, ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve. Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, thotë ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka.