Regjisori Kristaq Dhamo është shtruar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjendja e rëndë shëndetësore e regjisorit është bërë me dije nga vetë familja e tij përmes një e-maili. Në mesazh shkruhet se autori i filmit të parë shqiptar nuk është në gjendje as të lëvizë dhe as të flasë.
“Dje edhe pse nuk ndihej mirë Kristaqi po mendonte për të shkruar një letër të shkurtër falënderimi për të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm në krijimin e një prodhimtareje te vërtetë kinematografie kombëtare. Ndërkohë kishte edhe një mendim se ku mund të shfaqej filmi Tana i restauruar. Sipas tij ai duhej te shfaqej ne Korçë, sepse ishte qyteti, fshati dhe teatri i tij që dhanë ndihmën më të madhe në realizimin faktik të filmit. Por këtë e linte në dorën tuaj, duke çmuar shumë punën tuaj në Film Arkiv. Papritur, sot herët e shtruan në spital (10 korrik). Nuk është në gjendje të flasë, për të lëvizur jo se jo. Konsulta mjekësore që u zhvillua nga ora 15.00 thuhej me bindje se brenda javës e folura do t’i kthehet normalisht, ndërsa të ecurit më me ngadalë. Ju urojmë suksese ne organizimin e festave te filmit. Familja e Kristaqit”, shkruhet në komunikimin via-email.
Kristaq Dhamo ka jetuar mes Shqipërisë dhe Amerikës vitet e fundit. Ai ka bërë filmin e parë artistik shqiptar “Tana”, që së fundmi po rikthehej.