TIRANË– Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për nesër, në orën 12:00, vendimin për ankimin e bërë nga Thoma Gëllçi dhe të arrestuave të tjerë, kundër masës së sigurisë “arrest në burg”. Ish-drejtori i RTSH-së kërkoi lirimin nga burgu për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke shtuar ka parrezikshmëri shoqërore dhe pamundësi për të dëmtuar provat.
Po ashtu, avokati mbrojtës i Thoma Gëllçit, Dorian Matlija deklaroi se klienti i tij mbahej në burg vetëm në një kuadër të një fushate baltosjeje ndaj tij.
“Kjo është thjesht një hap i betejës ndaj kësaj parregullsie, për të mos mbajtur në arrest me burg një eprson që nuk ka lidhje me akuzat që i bëhen. Gëllci nuk mund të futet në garë për kreun e RTSH sepse është në kushtet e arrestit me burg. Ju e shikoni sesi po pengohet Gëllçi. Ne presim drejtësi në fund të fundit se ky është investimi i bërë për gjykatën e Posaçme. Këtu bëhet fjalë për një vlerësim juridik të të gjithë elementëve. Në momentin që flasim, dosja mbetet sekret dhe nuk dihet nëse kjo masë do të ndryshohet apo do të vijojë të jetë në fuqi masa për arrest me burg. Kjo është një fushatë baltosje e cila bëhet për të penguar kandidaturën e tij në krye të RTSH,”-tha ai para mediave.
Ish-drejtori është prangosur pasi akuzohet për një tender në Radio Televizionin Shqiptar i nënshkruar në nëntor të 2018-së. Sipas SPAK, Gëllçi ka kryer tender pa marrë ende miratimin e AMA-s për të hapur kanalin ‘Agro RTSH’ dhe ka bërë preventivin e projektit pa ditur nëse fondit prej 100 milionë lekësh (te reja) do i miratohej nga Ministria e Financave.
Ai ka zgjatur me 16 ditë afatin e zbatimit të kontratës ndaj firmës fituese përtej 45 ditëve që ishte në kontratë dhe ka skualifikuar padrejtësisht njërën prej kompanive që ishte në garë, duke ka favorizuar një kompani tjetër që sipas raport të KLSH nuk përmbushte kritere për t’u kualifikuar. Ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi dhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ervin Muraj, Alban Malaveci dhe Julian Tapia u arestuan dy ditë më parë me urdhër të SPAK.