Si do të ndahen gratë në listat e PS? Rama: Burrat do i hedhim në fushë që të meritojnë mandate, ndërsa gratë do të…

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin me gratë dhe vajzat me rastin e 8 Marsit u shpreh se nëse do votonin vetëm gratë në Shqipëri, Partia Socialiste do të merrte 90 deputetë. Rama shtoi se nëse do ti duhej të zgjidhte mes votës së një gruaje apo një burri do të zgjidhte votën e një gruaje.

“Besoj shumë në radhë të parë tek cilësia dhe mençuria e grave, nuk është e rastit dhe unë jam krenar për këtë. Nuk është e rastit që PS e votojnë më shume gra se sa burrat. Nëse do votonin vetëm gratë në Shqipëri ne do merrnin 90 deputetë. Këto janë shifrat. Dhe të them të drejtën nëse duhet zgjedh mes votës së një gruaja dhe të një burri, unë them votën e gruas. Sepse është më shumë se sa një votë, është një vendim. Gratë nënat nuk janë tifoze, burrat janë tifozë, janë skandalozë. Gratë janë nëna, motra, bija që kanë të lindur brenda vetes kujdesin për atë që vjen nesër. Gratë e ndërtojnë fatin.

Do të përsëris thirrjen për gratë që kanë burrat demokratë, burrat mbajini në shtëpi më 11 maj, jo fëmijët për të shkuar në shkollë. Se me tifozllëkun e tyre ata janë në gjendje të marrin në qafë veten, se s’na bëjnë ndonjë dëm te madh, po të marrin në qafë edhe fëmijët edhe familjen edhe vendin. Por vendit nuk kanë çfarë i bëjnë se shumica dërrmuese do të votojë për të çuar Shqipërinë në BE”, tha Rama.

Sipas tij burrat “do të hidhen” në fushë që të meritojnë mandate duke iu referuar listave të hapura, ndërsa shtoi se edhe në listat e mbyllura do të ketë gra, vajza dhe djem të cilët i cilësoi si forca e të resë.

“Në këtë sfidë të Shqipërisë ku ne përgatitemi të hymë në fushën e betejës elektorale dua t’ju them se ndryshe nga të tjerat që kanë grumbulluar rraqet mashkullore të Shqipërisë në emër të një madhështie se një Zot e di ku është se gjëja më mashështore që unë shoh në atë anë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Po e vetmja gjë madhështore. Shikoni mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe aty keni kartvizitën e madhështisë së asaj bauleje me rraqe. Ne do kemi qasje tjetër. Ne burrat, ata që kanë marrë nga PS, do i hedhim në fushë që të meritojnë mandate, ndërsa gratë do t’i ndajmë në dy pjesë. Gratë që do të jenë nikoqiret e gjithë këtij procesi të 4 viteve të ardhshme dhe që do ta marrin përfaqësimin e PS me mbështetjen e të gjithëve ne, në pjesën e mbyllur të listave dhe pastaj vajzat që do të jenë pjesë edhe e listave të hapura. Ndërkohë që në listat e mbyllura do kemi djem, do kemi vajza, do të kemi gra që janë forca e të resë, janë forca e gruas, janë forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030. Në pjesën tjetër të skuadrës do përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe patjetër edhe të gjithë burrat luftëtarë do jenë aty për të shkuar dhe për të fituar në territor vota për PS”, tha Rama.