Si i rindërtoi Granit Xhaka marrëdhëniet e shkatërruara me tifozët e Aresenalit

0

Nëse ka pasur ndonjëherë një tregues se sa mirë po shkojnë gjërat me Arsenalin në krye të tabelës së Premier League, ai erdhi në fund të fitores 3-0 të së dielës në Brentford. Bilbili i trefishtë ra dhe lojtarët londinezë po shkonin drejt tifozëve udhëtues për të festuar fitoren e gjashtë në shtatë ndeshjet e Premier League.

Pikërisht atëherë ndodhi: “Ne kemi Granit Xhakën, kemi Granit Xhakën. Ne kemi Granit Xhakën, kemi Granit Xhakën…” Kjo ishte kënga që po tingëllonte nga tifozët e gëzueshëm jashtë fushe, teksa skuadra e Mikel Arteta qëndronte përballë mbështetësve të vet duke tundur, duartrokitur dhe shprehur mirënjohjen.

Për Xhakën ishte një moment i madh. “Është një ditë shumë, shumë e veçantë për mua, – pranoi ai më pas në një mesazh emocionues, të cilin e dërgoi përmes llogarisë së Arsenalit në Twitter. – Mbeta i lumtur nga çfarë ndodhi, i mrekulluar që ju kënduat këngë për mua. Faleminderit”.

Për shumicën e lojtarëve, marrja e të tilla “serenatave” nga fansat nuk do të ishte asgjë e re. Por për sa i përket marrëdhënies së tij me tifozët e Arsenalit, Xhaka nuk është një lojtar i zakonshëm.

Në të vërtetë, fakti që ai tani po merr vlerësimin e tifozëve flet shumë për cilësinë e performancave që ka bërë këtë sezon.

Pas gjashtë vitesh me ngjarje tek Arsenali, ky ishte sezoni që shumë menduan se shqiptaro-zvicerani më në fund do të largohej nga formacioni startues, veçanërisht me ndryshimin e sistemit të prezantuar nga Mikel Arteta, i cili pa që Xhaka të luante në një rol shumë më të avancuar në mesfushë sesa zakonisht. Në vend të kësaj, “shqipja” e ka çimentuar vendin e tij në formacion me një seri paraqitjesh të shkëlqyera.

Ai ishte i mrekullueshëm kundër Brentford në të dy skajet e fushës, duke formuar një pengesë pothuajse të padepërtueshme përpara katër mbrojtësve, së bashku me Thomas Partey, duke luajtur gjithashtu një rol kryesor çerekun e fundit të fushës.

Asisti i Xhakës për golin e Gabriel Jesus, një top i mrekullueshëm për sulmuesin brazilian, ishte i treti i tij në Premier League, këtë sezon. Vetëm Bukayo Saka (katër) ka më shumë asiste.

“Gjatë gjithë kohës, ai po përpiqej të më gjente mua, – tha Jesus pas ndeshjes. – Ishte një pasim i madh, një krosim i mrekullueshëm. Jam shumë i lumtur që luaj me të. Graniti është inteligjent dhe një lojtar cilësor gjithashtu”.

Statistikat e Xhakës këtë sezon tregojnë se sa po e shijon lirinë e re që ka brenda skuadrës. Ai ka shënuar një gol dhe ka dhënë tre asiste në vetëm shtatë ndeshje. Xhaka ka krijuar gjithashtu 14 raste dhe ka pasur 25 prekje në kuadrat.

Por nuk është vetëm ecja përpara, aty ku ka shkëlqyer. Në mbrojtje, Graniti ka qenë shumë i fortë. Askush në skuadrën e Arsenalit nuk ka bërë më shumë ndërprerje aksionesh të kundërshtarit se Xhaka. Po kështu, ai e ka fituar 33 herë posedimin e topit në shtatë ndeshje. Vetëm dy lojtarë të tjerë e kanë rikuperuar topin më shumë.

Po të mos ishte Arteta, Xhaka do të ishte larguar prej kohësh nga Arsenali. Mesfushori e ka pranuar hapur se i kishte “çantat e mbushura” dhe ishte gati të kthehej në Gjermani pas grindjes me tifozët e Arsenalit gjatë një ndeshjeje me Crystal Palace në tetor 2019.

Xhaka ishte kapiten në atë kohë dhe ia hoqi shiritin nag krahu ish-trajneri Unai Emery, pas incidentit. Dukej se nuk kishte rrugë kthimi dhe nuk do të kishte pasur nëse Emery do të kishte mbetur në klub. Por Arteta mbërriti menjëherë dhe e bindi Xhakën të qëndronte.

Kjo ndodhi gati tri vite më parë dhe rruga drejt faljes me bazën e fansave nuk ka qenë e lehtë. Sidoqoftë, Xhaka nuk është një lojtar që do t’i shmanget ndonjëherë një sfide. Ka pasur përplasje përgjatë rrugës, duke përfshirë dy kartonë të kuq sezonin e kaluar, por mesfushori shqiptar është po aq i respektuar tani, sa kurrë ndonjëherë në Londrën Veriore.

Skenat e së dielës ku Xhaka mori brohoritjen e tifozëve të Arsenalit ndërsa mbante shiritin e kapitenit do të ishin të pamundura të imagjinoheshin vetëm pak kohë më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu