Si po synon Kina të rrisë shkallën në rënie të lindshmërisë?

0

Numri i popullsisë në Kinë ka rënë për 850.000 vitin e kaluar, rënia e parë në gjashtë dekada.

Kjo shifër shënon nisjen e një rënieje të pritshme të numrit të popullsisë në Kinë, çka mund të përcillet me pasoja të rënda ekonomike.

Politika e një fëmije në familje

Kina e ka zbatuar politikën e një fëmije në familje në periudhën 1980 – 2015, si përgjigje ndaj shqetësimeve qeveritare për pasojat ekonomike dhe sociale të rritjes së shpejtë të numrit të popullsisë.

Politika, e cila ka paraparë vetëm një fëmijë në secilën familje, është zbatuar me masa të rrepta, duke përfshirë gjobat dhe detyrimin e nënave për të kryer aborte.

Kjo masë, po ashtu, ka rezultuar me kryerjen e shumë aborteve selektive, për shkak të preferencave historike dhe kulturore të familjeve për të pasur djem.

Autoritetet kineze kanë thënë se kjo politikë ka parandaluar 400 milionë lindje.

Më pas, prej vitit 2016, të gjitha çifteve të martuara u është mundësuar që të kenë dy fëmijë.

Më 2021, Pekini ka thënë se do t’i lejojë çiftet të kenë tre fëmijë.

Masat stimuluese

Përveç politikës së një fëmije në familje, kostoja e madhe për edukim dhe mundësitë e kufizuara për kujdes ndaj fëmijëve, kanë shtyrë shumë familje në Kinë që të mos kenë as edhe një fëmijë.

Për të inkurajuar më shumë lindje, prej vitit 2021, qeveritë lokale kanë prezantuar masa stimuluese, përfshirë ulje të taksave, pushim më të gjatë të lehonisë dhe subvencione tjera.

Po atë vit, Pekini ka ndaluar veprimtarinë e kompanive që kanë ofruar orë mësimi për fëmijët nëpër shtëpi gjatë fundjavave apo ditëve të pushimit.

Ndër masat tjera që janë marrë është edhe ajo e gushtit të vitit të kaluar, kur Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë, u ka bërë thirrje qeverive qendrore dhe provinciale që t’i rrisin shpenzimet për shëndetin riprodhues dhe të përmirësojnë shërbimet për kujdes ndaj fëmijëve.

Këshilli shtetëror i Kinës ka thënë vitin e kaluar se do të prezantojë masa të reja për të inkurajuar orar fleksibil të punës dhe mundësinë që punëtorët me fëmijë të mund të punojnë nga shtëpia.

Ky Këshill ka thënë, po ashtu, se autoritetet lokale duhet të ofrojnë akomodim preferencial për familjet me shumë fëmijë, sikurse ofrimi i banesave publike më të mëdha.

Shenzhen, qytet në jug të Kinës, tashmë u jep çifteve që kanë fëmijën e tretë, një shumë prej 890 dollarëve, derisa fëmija t’i mbushë tre vjet.

Në Jinan, kryeqytetin e provincës kineze, Shandong, nënat që kanë fëmijën e dytë apo të tretë, mund të marrin ndihmë shtetërore prej 88 dollarësh derisa fëmija t’i mbushë tre vjet. REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu