Si u vranë dhe u gjetën 2 të rinjtë në Shkodër

0

Pesë ditë nga zhdukja dhe tre nga kërkimet sot u gjetën pajetë në një zonë të thellë të Malësisë së Madhe 2 nga 3 të rinjtë, Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj, ndërkohë nga Daniel Pepaj, i cili dyshohet se është autori i vrasjes nuk ka ende asnjë gjurmë.

Vilson Çutaj ka qenë me precedent penal, pasi vetëm disa muaj më parë kishte dalë nga burgu ku kreu dënimin me 3.4 vite për kultivim kanabisi, por menjëherë sapo doli nga qelia nisi punën për kultivimin e parcelës në zonën e pyllëzuar në malësi, që i mori jetën.

Por si u gjetën trupat e pajetë?

Abc News mëson nga burime pranë policisë së shtetit se trupat e 2 të rinjve janë gjetur gjatë kërkimeve në zonën e pyllëzuar të Rrencit, që ndodhet rreth 3 orë në këmbë nga fshati Vrith.

Ata u gjetën duke ndjekur rrugën e dyshuar se mund të kenë bërë 3 personat. Një indicie ishte edhe dëshmia e banorëve të fshatit se në këtë zonë kishin dëgjuar krismat e armëve ditën që janë zhdukur të rinjtë.

Por përse autori zgjodhi pikërisht atë zonë për t’i vrarë?

Vendi i krimit, ku u gjetën pa jetë 2 të rinjtë ndodhet rreth 250 metra larg parcelës me hashash që dyshohet të jetë bërë shkak i sherrit mes 3 personave.

Po i njëjti burim theksoi se trupat nuk ishin fshehur apo mbuluar, ndërsa janë qëlluar nga një distancë e afërt me automatik pak metra larg njëri tjetrit.

Autori Daniel Pepaj, dyshohet se pas sherrit u ka kërkuar 2 të rinjve të shkojnë te parcela me kanabis në zonën e pyllëzuar që të sqaroheshin, por aty i ka ekzekutuar, ndërsa më pas dyshohet se është arratisur në Mal të Zi.

Dyshimet dhe denoncimi

Ishin prindërit e Klementit pas zhdukjes së djalit të tyre që u shprehën se Danieli kishte dorë në zhdukjen e Vilsonit dhe Klementit.

Zanafilla e ngjarjes dyshohet se ka të bëjë me zhdukjen e 50 kg kanabis të Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt, që kishin parcelën.

Për këtë ngjarje ata akuzuan Danjel Pepajn, të cilin e rrahën në Bajzë. Gjatë rrugës për te parcela, në rrethana jo krejt të qarta, Danjel Pepaj mori armën, që dyshohet se e kishte fshehur në parcelën me kanabis duke i qëlluar për vdekje.

Ngjarja e rëndë u njoftua fillimisht nga gazetari investigativ Artan Hoxha, i cili raportoi se policia nuk po tregohej transparente në rastin e të rinjve të zhdukur në Malësinë e Madhe. /Abcnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu