Policia e Elbasanit ka marrë nën ruajtje materialet zgjedhore si dhe është angazhuar për ruajtjen e rendit gjatë procesit zgjedhor në Elbasan, një qark i konsideruar si “i nxehtë”, por që deri tani situata aty paraqitet e qetë.
Sakaq, probleme dhe konfrontime janë raportuar mes grupeve të PS dhe PD në Dibër, teksa janë hedhur akuza për blerje votash. Raportime për incidente të ngjashme ka pasur edhe nga Gjirokastra, Korça dhe Vlora.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan:
Në zbatim të detyrave institucionale që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan po kryejnë me angazhim maksimal dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara.
10 KZAZ dhe 508 Qendrat e Votimit, janë marrë në ruajtje nga punonjësit e Policisë.
Ruajtja e objekteve zgjedhore do të vijojë deri mëngjesin e ditës së nesërme, kur pranë tyre do të fillojnë punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Të gjitha detyrat e përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan janë realizuar me përpikëri dhe në përputhje me procedurat standarde.
Grupi i drejtimit dhe monitorimi
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është ngritur dhe po funksionon grupi drejtues, me detyrë monitorimin në kohë reale të situatës, ndjekjen e zbatimit të detyrave operacionale, si dhe përpunimin dhe menaxhimin e informacionit, me synimin për të garantuar komunikimin e menjëhershëm me median dhe publikun.
Situata aktuale
Deri në këto momente, situata e rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë dhe pa probleme.Gatishmëri për garantimin e sigurisë
Policia e Elbasanit, mbetet në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim sigurimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe të rregullt.