Athinë, 13 shkurt 2026 – Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me një delegacion shqiptar, zhvilloi vizita në disa biznese të suksesshme të sipërmarrësve shqiptarë në Greqi, duke vlerësuar kontributin e tyre në ekonomi dhe rolin e diasporës në forcimin e imazhit të sipërmarrjes shqiptare.
Një nga ndalesat ishte kompania DIVERIB, e themeluar nga sipërmarrësi Luan Zeqo, e cila operon në sektorin e peshkimit dhe ndërtimit të mjeteve lundruese. E themeluar në vitin 2000, kompania është rritur në një nga ndërmarrjet më cilësore të këtij sektori, duke bashkëpunuar me kompani të njohura ndërkombëtare. DIVERIB ka prodhuar edhe dhoma ajri për anijet pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të vitit 2004 dhe aktualisht ofron modele moderne anijesh me gjatësi nga 4.10 deri në 11.99 metra, duke garantuar standarde të larta teknologjie dhe cilësie.
Delegacioni vizitoi gjithashtu kantinën e verës Angelos, një biznes familjar me traditë që prej vitit 1932, i drejtuar sot nga familja Kanani. Kantina përfaqëson brezin e tretë të verëtarëve dhe prodhon verëra të bardha dhe të kuqe me standard të lartë, duke ruajtur mjeshtërinë dhe identitetin e trashëguar ndër vite.
Vizitat u vlerësuan si një dëshmi e suksesit të sipërmarrësve shqiptarë në diasporë, të cilët përmes punës, profesionalizmit dhe inovacionit kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e potencialit të biznesit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.









