Bllokimi i aksit kombëtar Prrenjas–Librazhd, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ka izoluar zona dhe fshatra të tërë, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve.
Si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe dëmtimeve të rënda në infrastrukturën rrugore, qarkullimi është pezulluar jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët, për shkak të rrezikut që paraqet kalimi në këtë segment.
Në këto kushte, banorët e zonës janë detyruar të gjejnë rrugë alternative, duke përshkuar në këmbë zonën kodrinore përreth, si dhe duke kaluar përmes burimeve ujore, për të arritur në anën tjetër të aksit të bllokuar.
Pamjet e siguruara tregojnë se rruga ka pësuar devijim të konsiderueshëm, ndërsa një pjesë e asfaltit është spostuar, çka e bën të pamundur dhe të rrezikshme çdo tentativë kalimi. Për këtë arsye, forcat e policisë kanë ndaluar lëvizjen në këtë segment.
Ndërkohë, ndonëse ishte paralajmëruar hapja e përkohshme e rrugës në mesditë, situata në terren tregon se qarkullimi mbetet i pezulluar, për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa banorët e zonës përballen me vështirësi të mëdha në lëvizjen e përditshme, si pasojë e bllokimit të këtij aksi kombëtar.





