– Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave të qytetarëcve në vend. Me anë të një postimi në Facebook, faqja zyrtare e Avokatit të Popullit shkruan se kjo rrjedhje është shqetësuese, duke shtuar se cënojnë provatësinë si dhe prishin harmoninë sociale. Gjithashtu nga Avokatja është kërkuar që të bëhet një hetim tërësor i kësaj ngjarjeje si dhe të merren masa urgjente.
Postimi i Plotë:
AVOKATI I POPULLIT REAGON MBI PUBLIKIMIN E PAAUTORIZUAR TË TË DHËNAVE SENSITIVE TË QYTETARËVE SHQIPTARË Avokati i Popullit e konsideron shqetësues faktin e publikimit e paautorizuar të një baze të dhënash në të cilën ekspozohen detaje mbi pagat e punonjësve shqiptarë si dhe informacione të tjera sensitive. Institucioni i Avokatit të Popullit tërheq vëmendjen për përsëritjen e këtyre publikimeve që cënojnë privacinë dhe të drejtat e qytetarëve duke krijuar një potencial të paidentifikuar tensioni dhe prishjeje të harmonisë sociale. Cënimi i përsëritur i sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dëshmojnë për nivele me të vërtetë të dyshimta të profesionalizmit dhe seriozitetit nga ana e institucioneve të ngarkuara për ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre të dhënave. Avokati i Popullit kërkon hetimin e shpejtë dhe tërësor të kësaj ngjarjeje dhe marrjen e masave urgjente për mbylljen përfundimtare të këtij kapitulli të trishtuar i cili minon besueshmërinë e qytetarëve në organet e administratës dhe institucionet e shtetit shqiptar.





