GJKKO ka dhënë dënimin për nëntë të arrestuarit, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ministrisë së Brendshme për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Mësohet se ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari është dënuar me një vit burg. Kurse me 8 muaj deri në 1 vit burg janë dënuar Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gezim Mingaj, Anisa Bogdani, Klevis Hasani, Flutura Cerkezi, Ani Omuri dhe Kreshnik Bejkaj.
Nëntë zyrtarët e ministrisë u arrestuan me urdhër të SPAK, pas një hetimi lidhur me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit të vitit 2020 prej 2.8 miliardë lekësh pasi kishte dyshime për shkelje të rënda.
Naqellari dhe vartësitë shkelën barazinë në zhvillimin e tenderëve, ndërsa sipas përllogaritjeve del se një uniformë polici kapi vlerën kolosale prej 2 800 euro dhe vetëm kapelja kishte një kosto prej 328 eurosh.
Kujtojmë se gjatë hetimit për tenderin e uniformave të policisë, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.
Sipas dosjes nga hetimet e SPAK ka rezultuar se, shkelja e parë e kryer nga zyrtaret e ministrisë së Brendshme është mënyra e ndjekur mbi procedurat e tenderit. Po kështu të arrestuarit, kanë bashkuar tre objekte të tenderimit në një të vetëm, duke favorizuar kështu mundësinë që një kompani të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën tre zëra.
Sipas prokurorisë, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë edhe në zërat e tenderit në mënyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin. ndërkohë hetimet janë në vijim ku SPAK është duke kryer hetime intensive edhe për persona të tjerë dhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.