Skemë mashtrimi me investime online në një call-center/ Goditet grupi i strukturuar kriminal, arrestohen 7 persona në Tiranë

0

Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “Platforma”, i cili ka në fokus goditjen e grupeve kriminale që merren me mashtrime online përmes platformave të rreme investimesh.

Në kuadër të këtij operacioni, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, zhvilloi operacionin “Recovery”, duke zbuluar një call center të paligjshëm në kryeqytet.

Call center-i ishte vendosur në katin e parë të një pallati në rrugën “Janos Hunyadi”, i përshtatur për të kryer mashtrime kompjuterike ndaj shtetasve të huaj përmes gënjeshtrave mbi investime online.

Në kuadër të ndërhyrjes u arrestuan në flagrancë 6 punonjës të këtij call center-i, konkretisht:

  • Indrit Kaziu, 33 vjeç, banues në Farkë

  • Lution Veseli, 22 vjeç, banues në Krujë

  • Elvis Hadaj, 38 vjeç, banues në Tiranë

  • Maer Musabelliu, 33 vjeç, banues në Tiranë

  • Dardan Rama, 34 vjeç, banues në Tiranë

  • Aldo Pleshti, 36 vjeç, banues në Tiranë

Gjithashtu, për 4 punonjës të tjerë është nisur procedim në gjendje të lirë:
A. P. (40 vjeçe), V. A. (38 vjeçe), K. A. (24 vjeçe) dhe S. M. (38 vjeç), të gjithë banues në Tiranë.

Në pranga ka rënë edhe një nga tre organizatorët kryesorë të mashtrimeve, Agim Shehu, 36 vjeç, ndërsa dy të tjerët, A. R. (34) dhe A. G. (38), janë shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit u sekuestruan pajisje kompjuterike dhe celularë që përdoreshin në aktivitetin kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se hetimet po vijojnë me intensitet, si në kuadër të operacionit “Recovery”, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, në kuadër të bashkëpunimit për “Platforma”.