Sipërmarrësi dhe mjeku veteriner Ervin Resuli ka denoncuar një fenomen në një fshat të Fierit, ku çobanët ankohen për mungesën e veterinerëve. Ai ka publikuar një video në rrjetin e tij social, ku blektori ankohet se deri më tani nuk i ka shkuar askush për të verifikuar ose bërë matrikullimin, vaksinimin dhe certifikimin e dhenëve për t’i bërë produkt për shitje.
“Ne nuk kemi asnjë gjilpërë falas. Jemi për të dorëzuar krrabat. Nuk kemi kushte. Departament bujqësor nuk ka. Sepse nuk ka ardhur njëri të thotë ç’hall ke. Është për të ardhur keq. Ata i marrin lekët kot,”-thotë në video çobani duke u ankuar për qeverinë. Më tej, Resuli shkruan se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve që janë të domosdoshme për të gjithë konsumatorët.
“Kush garanton sigurinë ushqimore tek produktet e kësaj ferme ? A është cënuar siguria shëndetësore si siguri kombëtare? A mundet struktura veterinare të kryejë funksionet ligjore duke marrë në konsideratë nivelin e ulët të pagave? Presim përgjigje,”-shkruan ai ndër të tjera.
Ndërkohë që sa i përket “dorëheqjes” së bariut, kjo nuk është problem pasi do të zëvendësohet fare lehtësisht me prurjet e reja që do të dalin nga Akademia e Barinjve që prezantoi ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. Vetëm se tani po shërben pak si anti-reklamë.





