Nëpërmjet fjalëve dhe ritmit, poezia u jep formë ëndrrave tona për paqe, dinjitet e drejtësi dhe na jep forcën dhe dëshirën për t’i realizuar këto ëndrra,- ky ishte mesazhi i zonjës Irina Bokova, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë.
Që nga viti 1999, 21 marsi përkujtohet si Dita Botërore e Poezisë, hyjneshës së fjalës.
Kjo ditë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye, UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private, duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj.
Dita Botërore e Poezisë është një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të aftësive krijuese të çdo personi.
Si një shprehje e mendjes njerëzore dhe si art universal, poezia është një mjet i fuqishëm dialogu. Poezia ndihmon për të promovuar komunikimin dhe lidhjen mes kulturave të ndryshme, sepse krijon akses drejt autenticitetit të një gjuhe.
Në ditët e sotme, është proza gjinia e preferuar dhe si e tillë edhe më e lëvruar, edhe pse vitet e fundit është bërë një punë e mirë për kthimin e vëmendjes te poezia. Sërish, në të gjithë botën vërehet një tendencë e medias dhe publikut në përgjithësi për të mos u kushtuar vëmendje serioze poetëve.
Një gjë e tillë ka nevojë për ndryshim, për t’i dhënë poezisë vendin që, me të drejtë, i takon.